Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë (KQZ) ka certifikuar sot rezultatet e zgjedhjeve në katër komunat në veri, që u mbajtën të dielën e 23 prillit.
Kreshnik Radoniqi, kryetar i KQZ, në mbledhjen e mbajtur të premten deklaroi se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa (PZAP), nuk ka pranuar asnjë ankesë për procesin zgjedhor.
“Nga PZAP dje na kanë njoftuar se brenda afatit të përcaktuar ligjor nuk ka parashtruar askush ankesë prandaj janë plotësuar kushtet për certifikimin e rezultateve”, theksoi ai.
Vetëm 1567 qytetarë i janë drejtuar qendrave të votimit në katër komunat e veriut të Kosovës për të zgjedhur kryetarin e ri.
Konkretisht, në këto zgjedhje të jashtëzakonshme kanë marrë pjesë 3.47 për qind e qytetetarëve, nga afro 45 mijë qytetarë sa kishin të drejtë vote në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviç.
Referuar të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë fituar nga dy komuna.