Arteta beson te suksesi në Premier League: Përballja në “Etihad” nuk vendos asgjë

schedule16:12 - 25 Prill, 2023

schedule 16:12 - 25 Prill, 2023

Tre barazime radhazi ndaj Liverpool, West Ham e Southampton mjaftuan për të “shkatërruar” atë çka ndërtuan gjatë gjithë sezonit, me “topçinjtë” e Arsenal që tashmë e shohin veten vetëm 5 pikë para “qytetarëve” të Manchester City, por me këtë të fundit që janë 2 ndeshje mangët dhe në rast fitoreje kanë shansin e artë për të siguruar vendin e parë në renditje me 1 pikë më shumë se londinezët.

Mesa duket “fatet” e Kampionatit mund të vendosen nesër teksa në “Etihad Stadium”, djemtë e Pep Guardiolas do të presin “topçinjtë” e Mikel Arteta në një përballje që për shumë tifozë anë e mbarë botë konsiderohet deçizive për “luftën” e vendit të parë, por jo për teknikun e Arsenal.

Në një konferencë për shtyp të zhvilluar ditën e sotme, në kuadër të “betejës” së nesërme, tekniku Mikel Arteta u shpreh se edhe nëse humbin në “Etihad” sërish beson se ka 100% shanse që “topçinjtë” e tij të fitojnë titullin kampion, pas 19 vitesh pritje.

“Pavarësisht rezultateve të fundit, unë besoj 100% në mundësinë e marrjes së titullit. Ne e dinim që në fillim se City ishte skuadra për t’u mposhtur, ndoshta së bashku me Liverpoolin duke pasur parasysh atë atë që kanë bërë në 6-7 vitet e fundit. Ne donim t’u afroheshim, ta mbyllnim sa më shumë atë boshllëk dhe sot jemi “kokë më kokë” me Cityn. Kjo ndeshje do të jetë shumë e rëndësishme, por nuk do të vendosë kampionatin. Nëse fitojmë nesër mbrëma, nuk do të kemi fituar titullin e Premier League”,- u shpreh Arteta gjatë konferencës për shtyp. /i.m /abcnews.al