Një nga lumenjtë që në të kaluarën ka qenë lumi më i pastër sot është kthyer lumi më i ndotur. Ai është lumi Shkumbin përshkon përmes disa bashki dhe derdhet në detin Adriatik.
Dikur ishte një lumë me ujë të kulluar dhe të pastër që buronte nga malet. Shkumbini. Nis në malin e Valamares në afërsi të Pogradecit dhe pasi përshkon një luginë 181 km të gjatë, përfundon në detin Adriatik me grykëderdhje në një nga plazhet më të bukur të vendit, Plazhin e Vilë-Bashtovës.
Kalon përmes territorin shqiptar duke e ndarë vendin në dy pjesë të mëdha në Veri dhe Jug. Ai përshkon bashkitë e Librazhdit, Elbasanit, Peqinit dhe Rrogozhinës. Pas viteve ’70 Shkumbini rezulton një nga lumenjtë më të ndotur në shkallë vendi.
Dekada më parë ndodhi kryesisht nga Kombinati Metalurgjik, Rafineria e naftës në Cërrik si dhe nga aktiviteti industrial i zonës. Kurse pas viteve 90 të shekullit të kaluar ndotësi më i madh u kthye faktori njeri.
Studimet e viteve të fundit kanë dëshmuar për shkallë të lartë të ujrave e zeza të pa përpunuara që derdhen në këtë lumë. Nis në Librazhd dhe arrin shifra alarmante në Elbasan.
Dy pikat më kritike janë ato ku derdhen Përroi i Manazeres dhe Përroi i Zaranikës. Vazhdon më tej në Peqin, Rrogozhinë e deri në Adriatik. Matjet kanë vërtetuar se në perëndim të Elbasanit niveli i bakterieve për 100 ml ujë arrin në mbi 100 mijë.
Treguesi specifik i ujërave të zeza, koliformët fekalë (E. Coli) arrin në shifra alarmante duke e bërë këtë ujë praktikisht të papërdorshëm. Në muajt e verës kur niveli i ujit bie dhe temperaturat favorizojnë zhvillimin e mikrobeve është dhe periudha më e keqe.
Specialistët e sëmundjeve të lëkurës në Elbasan prej kohësh kanë dhënë alarmin duke njoftuar popullsinë të mos frekuentojë për plazh ujërat e lumit Shkumbin pasi shkakton sëmundje të rënda e të pa shërueshme në lëkurë.
Përdorimi si ujë i pijshëm është rreptësisht i ndaluar pasi shkakton intoksikacione, diare dhe sëmundje të rënda të traktit tretës. Gjithashtu peshku dhe çdo gjallesë tjetër e lumit Shkumbin pas rrjedhës së tij në Elbasan është i ndaluar.
Një ujë i tillë i molepsur në mënyrë dramatike ka ndikuar në jetën e faunës së lumit Shkumbin e cila është drejt zhdukjes. Ndërsa banorët e kanë përdorur gjërësisht për ujitje, mësohet se ka kontaminuar mijëra hektarë tokë bujqësore.
Kjo po manifestohet me shfaqjen e sëmundjeve në fruta perime, dhe kultura bujqësore. Specialistët e bujqësisë shprehen se pasojat e ndotjes së tokës do të ndjehen gjatë.
Gazetar i ABC News, Elbasan: Fatos Salliu