Kurti: Jam gati për takimin në Bruksel, pres zbatimin e marrëveshjes pa vonesa

schedule13:49 - 24 Prill, 2023

schedule 13:49 - 24 Prill, 2023

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se është i gatshëm për takim me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Bruksel, më 2 maj.

Kurti nënvizoi nevojën që marrëveshja bazë me Serbinë, por edhe aneksi i zbatimit të zbatohen pa vonesa.

“Gjithmonë jam gati për takimet e nivelit të lartë, të cilat organizohen me lehtësimin apo ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Takimi i radhës do të mbahet në Bruksel si zakonisht, me ç’rast duhet të diskutohet se si edhe marrëveshja Brukselit dhe aneksi i zbatimit në Ohër që është pjesë integrale do të zbatohen pa vonesa”, theksoi ai.

Duke folur për zgjedhjet e djeshme në katër komunat veriore, Kurti tha se fushata e egër e shantazhit dhe kërcënimit të Beogradit ndikoi në daljen e ulët në votime të qytetarëve në veri.

Kurti iu uroi fitoren kandidatëve për kryetar të komunave veriore, derisa tha se pret konsolidimin e shpejtë të institucioneve komunale atje.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!