Juventus i karikuar për të dhënë maskimumin në Torino, Napoli “mbledh copat” dhe dëshiron të largojë rezultatet negative

schedule10:23 - 23 Prill, 2023

schedule 10:23 - 23 Prill, 2023

Nga Hergi Llupi

Në fund të një jave të trazuar për të dyja klubet, Juventusi dhe Napoli takohen sot në mbrëmje në Torino.

Nëse te Juventus ka një atmosferë pozitive tashmë duke marrë parasysh rikthimin e 15 pikëve të hequra para disa kohësh dhe kualifikimin për në gjysmëfinale të Europa League, rivalët e tyre jugorë po “thithin” një ajër negativ pasi janë eliminuar në Champions League nga Milani dhe rezultatet e fundit në Serie A nuk ka qenë ato të pritshmet, edhe pse ndodhen ende në vendin e parë me një distancë të konsiderueshme pikësh.

Pasi gjykata më e lartë sportive e Italisë anuloi dënimin prej 15 pikësh të dhënë në janar për problemet financiare, Juventus u ngjit nga vendi i shtatë në Serie A, në vendin e e tretë me 59 pikë aktualisht, 2 më pak se vendi i dytë që ndodhet Lazio. Nëse deri dje bardhezinjtë rrezikonin të mos merrnin pjesë sezonin e ardhshëm në Champions League, sot rikthimi i pikëve të hequra jo vetëm që e ka bërë të prekshme këtë gjë, por gjithashtu ka vënë në një luftë ekipet e Milanos, Interin e Milanin, për një vend në Champions League, por edhe Romën gjithashtu.

Gjithsesi, në kampionatin italian, Juventus nuk ka bërë mirë në dy ndeshjet e fundit. Pas tre fitoreve radhazi, “zonja e vjetër” e ka parë veten duke marrë dy humbje radhazi, ndaj Lazios dhe Sassuolos. Megjithatë, sot pritet të jenë në fushë me një mentalitet tjetër pas këtyre dy ngjarjeve të lartëpërmendura, por sigurisht që edhe tensioni dhe presioni i lartë nuk do të mungojë sot pasi do të ndeshen ndaj një ekipi të fortë si Napoli.

Nga ana tjetër, Napoli nuk gjendet në një moment të mirë psikologjik. Milani arriti ta eliminonte nga çerekfinalet e Champions League dhe kjo ishte një goditje e madhe për të kaltërit, pasi ishin një nga pretendetët për të shkuar në finalen e këtij turneu me performancën që kanë treguar gjatë gjithë sezonit. Një lajm i mirë për Spallettin është se do të ketë në dispozicion mbrëmjen e sotme Victor Osimhen, golashënuesin e tyre më të mirë. Por ky lajm i mirë shoqërohet edhe me një të keq. Spalletti nuk do të ketë në dispozicion lojtarë të rëndësishëm si Politano, Simeone dhe Mario Rui, të tre të dëmtuar. Tekniku i skuadrës jugore të Italisë ka pasur një detyrë të vështirë këtë javë, pasi më kryesorja ka qenë gjendja psikologjike e lojtarëve dhe Spalletti është munduar ta rregullojë këtë gjë. Ana e dëmtuar psikologjike e Napolit u diktua më qartë në dy ndeshjet kundër Milanit në Champions League, ku lojtarët e kaltër nuk ishin të qetë dhe kartonat e verdhë e të kuq nuk munguan.

Allegri pritet të startojë sot nga minuta e parë me Szczesny në portë, ndërsa Danilo Gatti dhe Alex Sandro në repartin e mbrojtjes. Mesfusha pritet të përbëhet me Cuadrado dhe Kostic në krahë, ndërsa Fagioli Locatelli dhe Rabiot në qendër të saj. Sulmi mendohet të jetë me Vlahovic dhe Milik.

Nga ana tjetër, Napoli mendohet të startojë sot me Meret në portë, ndërsa në mbrojtje Olivera, Kim, Rrahmani dhe Di Lorenzo. Mesfusha do të përbëhet nga tre, ku pritet treshja e përhershme titullare, Zielinski, Lobotka dhe Anguissa. Sulmi do të gjejë gjeorgjianin madhështor Kvaratskhelia, Osimhen në qendër të sulmit dhe Lozanon në krahun tjetër./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!