Ngarkesa e madhe e ndeshjeve, me ekipet që duhet të luajnë pothuajse nga 3 të tilla çdo javë ka revoltuar jo pak lojtarët e trajnerët në të gjitha anët e botës, mirëpo ditën e djeshme në konferencën për shtyp, në prag të ndeshjes me Celta Vigo-n, ka reaguar dhe tekniku i “galaktikëve” të Madridit, Carlo Ancelotti.
Ancelotti nuk i kurseu aspak kritikat ndaj UEFA-s e FIFA-s, teksa e shprehu haptazi se institucionet më të larta të futbollit në botë, nuk mendojnë më për lojtarët, por vetëm për interesat e tyre personale.
“Kalendari është shumë stresues, ka shumë ndeshje. Duhet të monitorojmë shëndetin e lojtarëve, sepse ata janë pjesa më e rëndësishme e futbollit. Por të gjithë mendojnë vetëm për veten e tyre.
Liga mendon për veten, federata mendon për veten, UEFA mendon për veten, FIFA mendon për veten. Është e keqe për futbollin. Nuk është e drejtë. Diçka duhet të ndryshojë”,- u shpreh tekniku italian, në fjalën e tij për gazetarët ditën e djeshme. /i.m /abcnews.al