Kryeministri Edi Rama reagoi në rrjetet sociale pas bllokimit të 550 tonëve karburant jashtë standardeve në Ballsh.
“Kush merret me naftë duhet të zgjedhë: o sipas ligjit o goditjen e ligjit”, e nis statusin e tij në Facebook Rama, i cili më tej shton se lufta kundër informalitetit nuk do të ndalet para asnjë subjekti, duke filluar çdo ditë me të mëdhenjtë.
“Ata që nxjerrin, përpunojnë apo tregtojnë naftë, janë në shënjestrën e strukturave të shtetit dhe s’do të kenë asnjë shteg jashtë rrugës së ligjit e të standardeve që meritojnë konsumatorët.
Informaliteti në dëm të cilësisë është po aq i dëmshëm dhe i patolerueshëm, sa edhe informaliteti financiar në kurriz të konsumatorit e të shtetit”, shkruan Rama.
550 tonë karburant në rafinerinë e naftës në Ballsh të Fierit, u bllokua këtë të mërkurë dhe nuk do të hidhet në treg për mosplotësim të standardeve të cilësisë. Zbulimi u bë përmes një laboratori të lëvizshëm që analizon mostrat e karburantit në 30 minuta deri në 1 orë.
Rezervuari i bllokuar dhe karburanti nuk do të hidhet në treg, por do të vazhdojë për përpunim të mëtejshëm. Do ketë përsëri kontroll dhe nëse do të përmirësohet cilësia do të lejohet për treg.
/abcnews.al