Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka bërë thirrje të enjten për armëpushim treditor në Sudan, në ditët kur shënohet Festa e Bajramit.
Ai ka thënë se gjatë këtyre ditëve, civilët e bllokuar do të mund të marrin trajtim mjekësor dhe të furnizohen me ushqime e produkte tjera të domosdoshme.
Guterres nuk e ka specifikuar kur duhet të nisë armëpushimi. Festa e Bajramit shënohet në Sudan prej të premtes, shkruan REL.
Prej nisjes së luftimeve mes trupave sudaneze dhe forcës paraushtarake, të shtunën, ai ka thënë se operacionet humanitare janë bërë “virtualisht të pamundshme” dhe se makinat për ndihmë janë sulmuar, plaçkitur ose konfiskuar.
Dy punëtorë të Programit të Kombeve të Bashkuara për Ushqim, janë vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur, si pasojë e luftimeve në këtë shtet.