BSH: Borxhi publik në nivelin më të ulët të dekadës së fundit, ra në 63.3% vitin e kaluar

schedule13:13 - 20 Prill, 2023

schedule 13:13 - 20 Prill, 2023

Banka e Shqipërisë vlerëson se borxhi publik gjatë vitit të kaluar ka pësuar një rënie edhe më të thellë se shifrat paraprake të Qeverisë shqiptare.

Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, raporti i borxhit publik bruto ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto në fund të vitit 2022 ra në 63.3%, pothuajse 10 pikë përqindje më pak krahasuar me fundin e vitit 2021.

Në buletinin e borxhit të tremujorit të fundit 2022, Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE) e vlerësonte borxhin publik afërsisht sa 67% e PBB-së.

Nëse vlerësimi i Bankës së Shqipërisë, do të konfirmohet, niveli prej 63.3% të do të përfaqësonte nivelin më të ulët të borxhit publik të vendit, qysh prej vitit 2012.

Borxhi publik i brendshëm u vlerësua në rreth 33.6% të PBB-së, nga 37.2% në fund të vitit 2021. Borxhi publik i huaj u vlerësua sa 29.9% e PBB-së, në rënie me 6.4 pikë përqindje nga fundi i vitit të mëparshëm.

Në analizën e Bankës së Shqipërisë, rënia e ndjeshme e borxhit i atribuohet rritjes së shpejtë të ekonomisë në terma nominalë, mbiçmimit të monedhës vendase kundrejt euros si edhe konsolidimit fiskal.

Deficiti buxhetor për vitin 2022 ishte rreth 78 miliardë lekë, nga 84 miliardë lekë i planifikuar, në rishikimin më të fundit. Deficiti u vlerësua në rreth 3.6% të PBB-së, nga 4.5% një vit më parë. I gjithë deficiti u realizua në muajin dhjetor, ndërkohë që gjatë njëmbëdhjetë muajve të parë të vitit janë regjistruar vlera pozitive për balancën fiskale.

Pjesa më e madhe e deficitit të krijuar për vitin 2022 u financua nga përdorimi i tepricave të likuiditetit në valutë të trashëguara nga një vit më parë, ndërkohë që emetimi i titujve në tregun primar financoi rreth 33% të deficitit buxhetor.

Mbështetur në vlerësimet e para mbi bazë tremujore të INSTAT, vitin e kaluar ekonomia shqiptare u rrit me 4.84%, shifër kjo ndjeshëm më e lartë se projeksionet e institucioneve të specializuara.

Për shembull, Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e fundit për Shqipërinë, të dhjetorit 2022, e parashikonte rritjen ekonomike vjetore pranë nivelit 3.7%. Rritja ekonomike më e lartë se parashikimet ka ndikuar ndjeshëm edhe në një raport më të ulët të borxhit publik ndaj PBB-së.

Gjithashtu, forcimi i lekut në kursin e këmbimit ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në rënien e vlerës së borxhit publik në valutë, të shprehur në monedhën vendase.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kursi nominal efektiv i këmbimit (KNEK) të lekut kundrejt valutave të partnerëve kryesorë tregtarë të vendit shënoi nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë. Ky tregues preku nivelin 78.6, në rënie me 8.9% krahasuar me vitin 2021.

Në veçanti, në fund të vitit 2022, kursi i këmbimit të euros me lekun rezultoi në rënie me 5.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Forcimi i lekut ka ndikuar rrjedhimisht në tkurrjen e portofolit të borxhit në valutë të huaj. Sipas MFE, në fund të 2022 stoku i borxhit në valutë të huaj ran ë rreth 646 miliardë lekë, 5.1% më ka krahasuar me një vit më parë./Monitor