Vdekja e Diego Maradona, rihapet gjyqi për mjekët e akuzuar

schedule14:56 - 19 Prill, 2023

schedule 14:56 - 19 Prill, 2023

Edhe pse kanë kaluar afro 2 vite nga vdekja e legjendës së futbollit Diego Maradona, mbetet ende e hapur çështja për shkaqet që çuan në një fund të tillë.

Një gjykatë, apeli argjentinas konfirmoi se tetë profesionistë mjekësorë të akuzuar si përgjegjës për vdekjen e Maradonës do të dalin në gjyq. Në vitin 2022, u ngrit një aktakuzë për personat që ishin përgjegjës për shëndetin e Maradonës. Apelimi që ata bënë, çoi në pushimin e përkohshëm të çështjes.

Mirëpo neurokirurgu Leopoldo Luke, psikiatri Agustina Cosachov si dhe gjashtë të tjerë do të përballen sërish me trupin gjykues.

Maradona vdiq në nëntor 2020 në moshën 60-vjeçare ndërsa po shërohej nga operacioni në tru për një mpiksje gjaku dhe pas dekadash betejash me varësinë nga kokaina dhe alkooli.

Ai u gjet i vdekur në shtrat dy javë pasi u operua, në një shtëpi me qira në një lagje të Buenos Aires ku u soll pasi doli nga spitali. Më vonë u zbulua se legjenda e futbollit kishte vdekur nga një atak në zemër

Tetë të pandehurit kishin apeluar ashpërsinë e akuzave, duke argumentuar se ata duhet të akuzohen për vrasje të pavullnetshme. Prokurorët akuzuan profesionistët mjekësorë se ishin përfshirë në trajtimin “të pamatur” dhe “të mangët”.

Një panel prej 20 ekspertësh mjekësorë i mbledhur nga prokurori publik i Argjentinës arriti në përfundimin në vitin 2021 se Maradona “do të kishte pasur një shans më të mirë për të mbijetuar” me trajtim adekuat në një strukturë të përshtatshme mjekësore.

Të akuzuarit rrezikojnë 8 deri në 25 vite burg, megjithatë  ende nuk është përcaktuar data e gjyqit./ h.ll/abcnews.al