Kur kanë mbetur edhe pak ditë para seancës për shpërbërjen e parlamentit të Kosovës, AAK-ja e Ramush Haradinajt dhe PSD-ja e Shpend Ahmetit kanë arritur një marrëveshje për koalicion parazgjedhor. Ndërkohë, kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka zhvilluar një seri takimesh në kërkim të aleancave.
Është nënshkruar marrëveshja e koalicionit parazgjedhor AAK-PSD, ndërmjet dy liderëve Ramush Haradinaj nga AAK-ja dhe Shpend Ahmeti nga PSD-ja. Kësaj marrëveshje i ka paraprirë një mbledhjeve të Këshillave Drejtuese të dy partive gjatë ditës.
“Mendoj se sot jemi më të përgatitur, të marrim përgjegjësitë për këto zgjedhje”.
“Ky është një bashkëpunim politik dhe zgjedhor duke marrë parasysh disa vija të bashkëpunimit që i kemi patur edhe në të kaluarën”.
Ndërsa gjatë ditës së sotme kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka takuar ndaras kreun e PSD-së Shpend Ahmetin dhe atë të Nismës Socialdemokrate Fatmir Limajn, por jo edhe kreun e AAK-së Ramush Haradinajn, i cili është arsyetuar se është i zënë.
“LDK është më e interesuar të shkojë vetë në zgjedhje, varësit prej rrethanave që i kanë thënë edhe vetë, nëse krijohet mundësia për diçka e partive të mëdha atëherë edhe këta do t’i shqyrtojnë seriozisht këto çështje”.
“Ne bisedojmë me gjithë partnerët e më pas vendosim. Procesi zgjedhor është vetëm një fazë. Kosovës i duhet një qeveri që kryen punë”.
Mësohet gjithashtu se në këto takime është diskutuar edhe për seancën e 22 Gushtit. Më 22 Gusht pritet seance plenare për shpërbërjen e parlamentit, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit./ABC News Albania 24/7