Rezultatet dhe renditja e ligave kryesore: Ekipet “big” të Serie A nuk fitojnë, Chelsea vazhdon krizën, Barcelona “ngec”

schedule11:54 - 17 Prill, 2023

schedule 11:54 - 17 Prill, 2023

Nga Hergi Llupi

Gjatë kësaj fundjave janë mbyllur pjesa më e madhe e ndeshjeve në ligat kryesore të futbollit europian.

Në Serie A, Milan nuk doli më shumë se një barazim nga Bologna, ku rezultati përfundimtar ishte 1-1. Kuqezinjtë e Piolit u befasuan që në minutën e parë, ku një gol i befasishëm nga Sansone befasoi kampionët në fuqi. Pioli në fakt kishte startuar sfidën me të gjithë rezervat pasi titullarët i mbajti të freskët për sfidën e kthimit ndaj Napolit në Champions League. Barazimi erdhi pa përfunduar pjesa e parë, pasi një goditje e bukur e Pobega vendosi shifrat në baraspeshë. Ky rezultat vendos Milanin në vendin e katërt të tabelës me 53 pikë dhe lufta për një vend në Champions League për sezonin e ardhshëm është ende e hapur.

Nga ana tjetër, Interi shkel bosh në San Siro përballë Monzës. Zikaltërit u mposhtën me rezultatin 0-1. Ekipi i Inzaghit ka dominuar totalisht ndeshjen, me raste të shumta të krijuara dhe me goditje në portën e kundërshtarit, por ishin të pafatë për të realizuar të paktën golin e barazimit. Kështu, kjo humbje u kushton shtrenjtë pasi tashmë rrezikohet seriozisht kualifikimi në Champions League për në sezonin e ardhshëm. Interi ndodhet aktualisht në vendin e pestë me 51 pikë, pra në zonën e Europa League.

Napoli gjithashtu ka befasuar në “Maradona” pasi ka arritur vetëm një barazim pa gola ndaj Hellas Verona. Ky rezultat nuk u kushton shumë të kaltërve të Spallettit, pasi ata vazhdojnë të jenë në krye të tabelës me 75 pikë, me një distancë prej 14 pikëve nga vendi i dytë që ndodhet Lazio.

Juventus është mposhtur në transfertë nga Sassuolo me rezultatin minimal 1-0. Ky rezultat sigurisht që ishte në dëm të bardhezinjve pasi i ngadalësoi përsëri rrugëtimin e tyre për t’u ringjitur në tabelë. Aktualisht Juventus ndodhet në vendin e 7-të me 44 pikë.

Ekipet kryeqytetase, Lazio dhe Roma kanë konfirmuar nga një fitore këtë fundjavë. Lazio arriti të mposhte Spezian në transfertë me rezultatin e bindshëm 0-3, duke marrë kështu vendin e dytë të Serie A. Roma gjithashtu ka marrë një fitore me të njëjtin rezultat në shtëpi ndaj Udineses, dhe kjo fitore i ka ngjitur ata në vendin e tretë të tabelës.

Sot në mbrëmje do të luhet ndeshja e fundit e javës përkatëse, ku në mbrëmje Fiorentina do të presë Atalantën.

Në Premier League ka pasur gjithashtu disa rezultate surprizë.

Aston Villa ka mposhtur Neëcastle me rezultatin 3-0. Kjo humbje ka bërë që ekipi i sheikëve të rrezikojë një kualifikim të mundshëm në Champions për sezonin e ardhshëm. Aktualisht ata ndodhen në vendin e katërt me 56 pikë.

Tottenham është befasuar në shtëpi nga një humbje në frymën e fundit, pra në minutën e 95-të. Kjo humbje i ka kushtuar “Spurs” mundësinë për të prekur zonën e Champions League në tabelë, pasi aktualisht ata ndodhen ende në vendin e pestë me 53 pikë.

Chelsea vazhdon të bëjë hapa negativë këtë sezon. Ekipi i drejtuar nga Lampard ka humbur me përmbysje ndaj Brighton në “Stamford Bridge” me rezultatin 1-2. Kjo humbje vazhdon të bëjë që Chelsea të zhytet në tabelë, pasi aktualisht ndodhen në vendin e 11-të me 39 pikë

Manchester City nuk e ka diskutuar fitoren ndaj Leicester në shtëpi, pasi “qytetarët” fituan me rezultatin 3-1. City vazhdon të ushtrojë presion mbi Arsenalin kryesues, pasi diferenca tashmë bëhet vetëm me katër pikë.

“Topçinjtë” e Artetës nuk mundën të dilnin më shumë se një barazim 2-2 ndaj West Ham në transfertë. Ky barazim i kushton shumë Arsenalit pasi tashmë presioni mbi ta nga ana e Manchester City rritet dhe rrezikohet kreu. Arsenal vazhdon të mbetet në vendin e parë të Premier League me 74 pikë, por City e ndjek nga pas me një diferencë prej katër pikësh.

Manchester United ka fituar gjithashtu, duke mposhtur në transfertë Nottingham me rezultatin 0-2. Ten Hag po bën një punë shumë të mirë te “djajtë” dhe me këtë fitore, ata pozicionohen në vendin e tretë me 59 pikë.

Leeds dhe Liverpool do të ndeshen mbrëmjen e sotme për të mbyllur këtë raund përkatës të Premier League.

Bundesliga vazhdon të dhurojë emocione të mëdha këtë sezon. Bayern Munich nuk ka mundur të dalë më shumë se një barazim në shtëpi ndaj Hoffeinheim me rezultatin final 1-1. Ky rezultat i gjen ende bavarezët në ventin e parë me 59-të pikë, por kështu krijon mundësinë për rivalin e tyre të Dortmund për të rritur presionin ndaj tyre.

Borussia Dortmund nuk ka mundur të përfitojë nga barazimi i bavarezëve, pasi vetë ata kanë marrë vetëm një barazim në transfertë ndaj Stuttgat të cilët mbetën për një kohë të gjatë me 10 lojtarë. Rezultati 3-3 ishte i befasishëm për miqtë, pasi kështu ata humbën mundësin për të qenë me pikë të barabarta me Bayern Munich. Ata ndodhen në vendin e dytë me 57 pikë.

Në Bundesliga nuk është vetëm një luftë e hapur për kreun, por gjithashtu edhe në fundin e renditjes zhvillohet një betejë e ashpër për mbijetesë, ku janë pothuajse gjashtë ekipe të cilat mund të renditen në fund të sezonit në zonën e kuqe.

Në Spanjë, Real Madrid ka marrë një fitore me rezultatin 0-2 në transfertë kundër Cadiz. Ky më shumë është një rezultat motivues për në Champions për skuadrën e “Los Blancos” pasi diferenca me vendin e parë është me 11 pikë. Jo e pamundur për t’u arritur nga Reali, por në fakt mundësia që Barcelona të kryejë hapa fals deri në përfundim të sezonit është minimale.

Katalanasit në fakt e bënë një hap fals, ku barazuan me rezultatin 0-0 në transfertë përballë Getafe. Barça vazhdon të pozicionohet në vendin e parë të La Liga me 73 pikë, 11 më shumë se Real Madrid.

Një fitore të rëndësishme arriti të marrë edhe Atletico Madrid në shtëpi me rezultatin 2-1 ndaj Almeira. Këto tre pikë kanë bërë të mundur që ekipi i Simeone të pozicionohet në vendin e tretë me 60 pikë, pra 2 më pak se vendi i dytë.

Edhe kategoria Superiore në Shqipëri ka mbyllur raundin e saj. Bylisi dhe Teuta përfunduan sfidën në barazimin 2-2. Këto dy skuadra në fakt janë duke lufutuar për mbijetesë. Teuta ndodhet aktualisht në vendin e 8-të me 35 pikë, ndërsa Bylisi në vendin e 9-të me 30 pikë.

Edhe sfida tjetër mes Erzenit dhe Kastriotit është mbyllur në barazim. Krutanët vazhdojnë të mbeten në vendin e fundit edhe pse me një ndeshje më pak, në kuotën e 28 pikëve. Erzeni nga ana tjetër ndodhet në vendin e gjashtë me 36-të pikë.

Partizani është mposhtur nga Laçi me rezultatin 3-2. Kjo ka qenë një sfidë me shumë emocione dhe polemika. Kjo humbje e “demave të kuq” ka bërë që Tirana të përfitojë dhe të krijojë akoma edhe më shumë distancë. Partizani ndodhet në vendin e dytë me 48 pikë, 5 më pak se Tirana kryesuese.

Bardheblutë fituan në shtëpi ndaj Egnatias me rezultatin 2-1, falë dy golave të Kristal Abazaj. Kryeqytetasit vazhdojnë të mbajnë distancë me Partizanin e vendit të dytë, duke u renditur në vendin e parë me 53 pikë.

Sfida tjetër mes Kukësit dhe Vllaznisë është mbyllur me shifrat 0-0. Një rezultat jo shumë i favorshëm për verilindorët pasi i afrohen shumë pranë zonës së kuqe./ h.ll/abcnews.al