Mesazhet e Escobar/Nazarko: Meta i ka kuptuar gabimet që ka bërë veçanërisht në pjesën e fundit të presidencës

schedule19:53 - 14 Prill, 2023

schedule 19:53 - 14 Prill, 2023

TIRANË- Vizita e të dërguarit të posaçëm të SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në Tiranë bëri lajm për ato që takoi, por për personat që nuk zgjodhi t’i takonte. Ky emër ishte Sali Berisha, i shpallur “non grata” nga Departamenti i Shtetit Amerikan. Por, teksa anashkaloi Berishën, Escobar u takua me aleatin e tij në koalicion për zgjedhjet vendore të 14 majit, Ilir Metën.

Analisti Mentor Nazarko tha se dyshja Meta-Berisha përfaqëson një pjesë të popullit shqiptar dhe në këto kuadër, SHBA edhe për hir të ekuilibrave politikë ka zgjedhur t’i shkojë në zyrë Ilir Metës, i cili është drejtuesi i koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

“Aleanca e krijuar mes Berishës dhe Metës përfaqëson një pjese të popullit shqiptar. Leaglisht Meta është bartës i kësaj liste, që e përfaqëson këtë pjesë të elektorati dhe është ish-presidenti  i Shqipërisë dhe në emër të ekuilibrit SHBA duhet të kenë bashkëbisedim edhe me atë pjesë që është kundër kësaj qeverie”, tha ai.

Sipas tij, Meta në periudhën e fundit të presidencës ka bërë gabime me qëndrimet e tij publike kundër ambasadores amerikane në Tiranë Yuri Kim.

“Biseda mund të ketë pasur nota normaliteti. Meta i ka kuptuar gabimet që ka bërë veçanërisht në pjesën e fundit të presidencës së tij kur u afishua publikisht kundër ambasadores amerikane dhe ndonjëherë që mund të keqkuptoheshin si kundër administratës amerikane së kohës dhe kështu në këtë kuptim, komunikimi i tij ka fituar doza normaliteti”, tha ai.

Mes tjerash, Nazarko tha se retorika që Berisha po përdorë ndaj ambasadores Yuri Kim, duket se ka ngjallur një ndjenjë anti-amerikane në Shqipëri.

“Ky është një antiamerikanizëm që vjen për shkak të pozicionimit hapur të Berishës ndaj ambasadores amerikane dhe ky qëndrim implikon një rrymë mendimi. Ka një ndjesi të përgjithshme popullore, që të orientohet kundër administratës amerikane dhe kundër ambasadores dhe ky mund të quhet një lloj antiamerikanizmi”, shtoi ai./n.m.abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!