Koreja e Veriut ka lëshuar një raketë, që mund të jetë një model i ri i raketave balistike, tha Koreja e Jugut.
Raketa fluturoi rreth 1.000 kilometra, tha ushtria e Koresë së Jugut më 13 prill, duke e cilësuar këtë veprim si “provokim të madh”, shkruan REL.
Lartësia në të cilën fluturoi raketa nuk është bërë publike, edhe pse agjencia jugkoreane e lajmeve, Yonhap, tha se dukej se raketa fluturoi më pak se 3.000 kilometra. Kjo është lartësi më e ulët sesa testimet e kryera vitin e kaluar, që arritën deri në 6.000 kilometra.
Ushtria e Koresë së Jugut tha se është në gatishmëri të lartë dhe po koordinohet ngushtë me Shtetet e Bashkuara, që kanë “dënuar fuqishëm” atë që Shtëpia e Bardhë tha se ishte testim i një rakete balistike me rreze të gjatë veprimi.
Një zyrtar i ushtrisë jugkoreane tha se testimi si duket përfshinte një sistem të ri armësh që është shfaqur në paradat e fundit ushtarake të Koresë së Veriut.
Sipas analizimit të bërë nga Ministria e Mbrojtjes, thuhet se raketa mund të jetë me lëndë djegëse të ngurtë. Koreja e Veriut ka punuar që të ndërtojë raketa me lëndë djegëse të ngurtë, të cilat mund të lëshohen pothuajse pa paralajmërim dhe nuk duhet kohë për t’u nisur.