Të paktën 30 kandidatë kanë probleme me të shkuarën e tyre penale. Partitë kanë futur në garë persona problematikë, me dënime brenda ose jashtë vendit, apo me histori ndërrime emrash.
KQZ i dërgoi sot për verifikim të thelluar Prokurorisë së Përgjithshme 9 kandidatë për kryetarë bashkie, dhe 20 kandidatë për këshilltarë. Ata janë shpërndarë tek të gjitha partitë, majtas apo djathas.
Kreshnik Hajdari i Ramës në Kucovë dhe Rezeart Tusha i Berishës në Shijak do të vijojnë të jenë në garë, derisa Prokuroria të dalë në konkluzion për ta. Por për Qerim Ismailajn, socialistin e Mallakastrës, Ilirjan Celibashi do të vendosë vetë.
“Ky është dënuar me 6 muaj burgim. Në bazë të ligjit, ky nuk duhet të kandidojë. Ky zotëria, në mars të 2025 mund të kandidojë, tani nuk mund të kandidojë. Verifikimin e thelluar e bëmë në 2022, na doli falsifikator, i erdhi memoria në gjykatë, u dënua. Ky nuk është për verifikim, ky është për ndalim”, tha përfaqësuesi ligjor i PD-së, Indrit Sefa.
Rikthimit në Kuvend i tha jo Ilir Beqaj, i cili nuk pranoi të dorëzonte formularin e dekriminalizimit. Mandati i Benet Becajt do t’i ofrohet Frrok Gjinit./abcnews.al