“Djalli” pret në “ferr” jugorët e Italisë, Milan dhe Napoli “përplasen” në Champions League

schedule11:06 - 12 Prill, 2023

schedule 11:06 - 12 Prill, 2023

Nga Hergi Llupi

Përplasje të titanëve të Serie A do të shohim sot në mbrëmje në stadiumin “San Siro, në orën 21:00, ku Milani do të presë në shtëpi Napolin, ndeshje e vlefshme për aktin e parë të çerekfinaleve të Champions League.

Në këtë takim të parë, Milani do të përpiqet të imitojë atë fitore të jashtëzakonshme kundër Napolit në kampionat me rezultatin 4-0 në fillim të këtij muaji. Megjithatë, mbrojtja e Scudettos nuk ka shkuar sipas planit pasi Napoli është duke bërë mrekullinë në Serie A duke kryesuar tabelën e kampionatit Italian me shumë pikë diferencë nga ekipet e tjera. Ndaj Milanit, Napoli ka një epërsi të frikshme prej 22 pikësh diferencë, edhe pse kuqezinjtë ndodhen në vendin e katërt.

Sfida e sotme është një ndeshje e përsëritur mes tyre, por në Serie A dhe jo në Champions League, ku gjërat kanë një ndryshim të madh dhe emocioni është totalisht tjetër. Milanit i mungon rrjedhshmëria e performancës, pasi kohët e fundit ka bërë disa hapa të gabuar ashtu si kushërinjtë e tyre, Interi. Gjithsesi, një nga faktorët kryesorë ka qenë edhe forma e dobët e “artistit” Rafa Leao, por në sfidën e fundit ndaj Napolit në fitoren 4-0, portugezi dukej sikur ishte ringjallur.

Edhe pse me eksperiencë të madhe në këtë turne, Milani mbart disa statistika negative në ndeshjet me eliminim direkt në Champions League. Milani në 16 ndeshjet e fundit me eliminim direkt në Champions ka arritur të fitojë vetëm 10 të tilla dhe nuk ka mundur të shënojë në 10 të tilla. Ndoshta më e rëndësishmja, Milani ka mundur të fitojë në “San Siro” vetëm dy herë që prej vitit 2014 kundër Napolit.

Gjithsesi, siç u theksua pak më parë, edhe pse të dyja skuadrat janë ndeshur të paktën dy herë çdo sezon së bashku, sot në mbrëmje do të jetë një sfidë tjetër dhe me shumë emocione. Napoli vjen nga një rrugëtim i jashtëzakonshëm këtë sezon në Champions League, ku madje kanë shënuar edhe më shumë gola se të gjithë, plot 25 të tillë. Mungesa e sotme e bomberit të tyre nigerian, Victor Osimhen, do të jetë një boshlloëk i dukshëm në repartin e sulmit, duke marrë parasysh që edhe Raspadori nuk është në formën e tij më të mirë fizike.

Gjithsesi, Milani e di mirë që rreziku numër një sot do të jetë ylli gjeorgjian, Kvaratskhelia. Sytë në fakt dhe shpresat për një moment vendimtar të gjithë i kanë te gjeorgjiani i Napolit dhe te ylli portugez i Milanit, Rafa Leao, ku shumë e cilësojnë si edhe një përplasje “artistësh”.

Rezultatet e Milanit në 6 ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet nuk janë shumë për t’u admiruar, pas kanë arritur të grumbullojnë 1 fitore, 3 barazime dhe 2 humbje. Nga ana tjetër, Napoli ka regjistruar 4 fitore dhe 2 humbje.

Sot Milan do të bëjë pa Kalulu pasi është i dëmtuar, ndërsa Napoli pa dyshen e sulmit, Osimhen dhe Simeone.

Pioli pritet sot të aktivizojë nga minuta e parë portierin “magjik”, Mike Maignan, ndërsa përpara tij mbrojtja me katër e përbërë nga Calabria, Kjaer, Tomori dhe Theo Hernandez. Në mesfushë pritet Tonali, Krunic dhe Bennacer. Sulmi më pas pritet të jetë me treshen Diaz, Giroud dhe Rafa Leao.

Nga ana tjetër, Spalletti është gati të aktivizojë nga minuta e parë Meret në portë, Olivera, Kim, Rrahmani dhe Di Lorenzo në mbrojtje. Mesfusha do të përbëhet nga treshja Zielinski, Lobotka dhe Anguissa, ndërsa sulmie me Kvaratskhelia, Raspadori dhe Lozano./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!