Ndonëse ndodhet në listën e CNN për 20 vendet që duhen vizituar, Prishtina nuk është ende një qytet atraktiv për turistët.
Yagiz Durhan është nga Turqia, ai aktualisht gjendet për vizitë në Prishtinë. I pëlqen të vizitojë vende të ndryshme të botës për hiking për çka ka ardhur edhe në Kosovë. Thotë se e ka shfrytëzuar rastin që të vizitojë edhe kryeqytetin.
Yagin Durhan, turist: “Është hera e parë që jam në Prishtinë. Më pëlqen ky vend dhe dua ta vizitoj përsëri”.
Së fundmi Prishtina është në top 20-en e vendeve që duhet vizituar nga mediumi ndërkombëtar CNN. Kryeqyteti kosovar zakonisht nuk është në krye të listave të dëshirave të destinacioneve për shumë turistë, por kjo nuk është arsye për të mos e vizituar. Mund të ketë qenë sinonim i luftës 20 vjet më parë, por Prishtina ka pësuar një transformim të madh.
CNN përmend Muzeun Etnografik dhe atë kombëtar që duhet vizituar. Ndërsa për bibliotekën Kombëtare thotë se ka një arkitekturë magjepsëse. Atyre që kërkojnë të qetësohen CNN u rekomandon të vizitojnë pishinën e qytetit që ndodhet në Parkun Germia. Gazetarja Sërbeze Haxhiaj thotë se autoritetet në Kosovë kanë dështuar në politikat e të bërit turizëm.
Serbeze Haxhiaj, gazetare: “Është koha të kthehet vëmendja tek pjesa atraktive e Prishtinës, por dhe tek zona të tjera të Kosovës”.
Turistët e huaj e vizitojnë Kosovën kryesisht në kuadër të tureve ballkanike. Të rrallë janë ata që kalojnë disa ditë pushimi vetëm në Kosovë, thonë agjencitë turistike.
Besnik Gashi, agjencia turistike “Gizi Travel”: “Në Prishtinë vijnë nga pak, kryesisht nga vendet ballkanike. Kur vizitojnë Shqipërinë, Maqedoninë zgjedhin edhe Kosovën”.
Në kuadër të vizitave të tyre në Prishtinë, turistët zgjedhin edhe parkun arkeologjik të Ulpianës për ta vizituar, i cili gjendet pak kilometra larg Prishtinës./ABC News Albania 24/7