Ukraina pritet të rinisë eksportin e energjisë elektrike

schedule17:21 - 8 Prill, 2023

schedule 17:21 - 8 Prill, 2023

Ukraina do të jetë në gjendje të eksportojë energji elektrike për herë të parë në gjashtë muaj, pasi infrastruktura e saj e energjisë po rimëkëmbet pasi për muaj të tërë u përball me sulme ruse.

Rusia nisi sulmet e saj kundër infrastrukturës energjetike ukrainas tetorin e vitit të kaluar.

Sulmet çuan në ndërprerje të mëdha të rrymës, duke lënë qytete e fshatra pa rrymë gjatë dimrit.

Për shkak të sulmeve, Ukraina u detyrua të ndalte eksportet e energjisë elektrike, por tani do të jetë në gjendje që sërish të shesë energji.

Ministri i Energjisë, Herman Halushchenko, nënshkroi një urdhër ekzekutiv që autorizon eksportet, edhe pse konsumatorët lokalë do të vazhdojnë të jenë prioritet. Ai tha e sistemi ka prodhuar përtej kërkesave për pothuajse dy muaj dhe se ukrainasit tani nuk po përballen me kufizime të energjisë.

“Dimri më i vështirë ka kaluar”, tha ai.

“Hapi i radhës është nisja e eksportimit të elektricitetit, që do të na lejojë të tërheqim burime të reja financiare që janë të nevojshme për rindërtimin e infrastrukturës së dëmtuar”, shtoi Halushchenko.

Muajin e kaluar në Ukrainë u raportua se furnizimet me energji u bënë më të qëndrueshme. Por, pavarësisht përmirësimit të gjendjes, operatori kombëtar i rrjetit elektrik, Ukrenergo, ka paralajmëruar ukrainasit se shteti nuk duhet të presë që Rusia të ndalë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike./REL