Abazoviç i përgjigjet Kurtit: Nuk do të ndryshojë raporti i Malit të Zi me Kosovën

schedule21:45 - 7 Prill, 2023

schedule 21:45 - 7 Prill, 2023

Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç i është përgjigjur deklaratës që ka dhënë para disa ditëve kryeministri i Kosovës, Albin Kurti lidhur me zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi.

Kurti është shprehur i shqetësuar nëse fiton kundërkandidati i presidentit aktual, pasi sipas tij në këtë formë do të hapet rruga për zhdukjen e kombit malazez.

Në lidhje me këtë, Abazoviç deklaroi se nuk ka nevojë të brengoset askush për të ardhmen e Malit të Zi.

“Kam një respekt të jashtëzakonshëm për kryeministrin e Kosovës, por mendoj se çdokush ka probleme edhe në shtëpi të vet dhe për Mal të Zi nuk ka nevojë të brengoset askush përveç nesh. Nuk kam qejf të krijoj një keqkuptim, por mendoj se çdokush mund të flejë rehat sa i përket Malit të Zi. Mali i Zi tash e dy vite është duke bërë rezultate të mira, është duke shkuar në drejtim të duhur edhe sa i përket sundimit të ligjit, drejtësisë dhe ekonomisë.

Nëse ne flemë mirë në Mal të Zi, atëherë nuk ka nevojë askush me qenë i brengosur në rajon. Ne jemi një shtet shumë paqësor dhe do të mundohemi edhe në të ardhmen të merremi me këto çështje. Nuk ka të bëjë kjo me kryeministrin e Kosovës, por me disa deklarata që kanë ardhur nga shumë politikan nga rajoni”, theksoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!