Marsel Meta është nxënësi shqiptar që i bie 5 instrumentave muzikore dhe studion në një prej shkollave më të mira të muzikës në Itali.
Në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, ai tregoi se të preferuarën ka lahutën, edhe pse studion klarinetën në shkollë. Marseli zbuloi se lahuta i pëlqen pasi ndryshe nga instrumentat e tjerë nuk luhet me nota, por me ndjenja.
“E kam kuptuar që më pëlqen muzika kur kam qenë në shkollë. Mësuesit më thanë të zgjedhësh dhe unë zgjodha klarinetën. Ndërkonë, tani studioj edhe instrumenta të tjera.
Unë di t’i bije 5 instrumentave, plus dhe këndoj. I preferuari im është lahuta. Zgjodha të studioja klarinetën për të studiuar sepse në shkollë italiane nuk ka lahutë. Më pëlqen shumë lahuta sepse është një vegël e veçantë. Për instrumentat e tjerë vë notat përpara dhe i bie, ndërsa lahuta është me ndjenja”, u shpreh Meta./abcnews.al