Ushtria izraelite tha se ka goditur objektiva në Rripin e Gazës në përgjigje të sulmeve me raketa nga territori palestinez dhe nga Libani.
Një numër shpërthimesh u dëgjuan në Rripin e Gaza të enjten vonë. Nuk ishte menjëherë e qartë se cilat ishin objektivat e ushtrisë izraelite në këtë zonë.
Sulmet ajrore filluan ndërsa Kabineti i Sigurisë i Izraelit po mblidhej për të diskutuar një përgjigje ndaj sulmeve me raketa nga territori i Libanit.
Sulmet me raketa ndaj Izraelit rrisin mundësinë e një konflikti më të gjerë
Militantët në Liban hodhën një numër të madh raketash në drejtim të Izraelit të enjten, tha më herët të ejten ushtria izraelite, duke plagosur të paktën dy persona dhe duke rritur tensionet rajonale një ditë pasi policia izraelite bastisi një zonë të shenjtë të Jeruzalemit.
Ushtria izraelite tha se 34 raketa u hodhën përtej kufirit dhe se 25 u rrëzuan nga sistemi i saj i mbrojtjes ajrore “Mburoja e Çelikut”. Pesë raketa të tjera goditën territorin izraelit dhe sulmet e tjera janë duke u hetuar, thuhet më tej në deklaratën e ushtrisë izraelite.
Numri jashtëzakonisht i madh i raketave ngjalli frikën për një luftë më të gjerë, pasi armiku i Izraelit, grupi militant Hezbollah i mbështetur nga Irani, kontrollon pjesën më të madhe të Libanit jugor. Gjatë dy ditëve të fundit, tensionet janë rritur në zonën ku ndodhet Xhamia Al-Aksa në Jeruzalem dhe në zonat përgjatë kufirit të tensionuar të Izraelit me Rripin e Gazës.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u zotua për një “përgjigje agresive”.
“Ne do të godasim armiqtë tanë dhe ata do të paguajnë një çmim për çdo akt agresioni”, tha ai në një deklaratë të enjten vonë, duke shtuar se izraelitët mbeten të bashkuar përballë kërcënimeve të jashtme pavarësisht dallimeve të tyre politike.
Në një konferencë me gazetarët, nënkoloneli Richard Hecht, zëdhënës i ushtrisë izraelite, tha se kishte një lidhje të qartë midis sulmit me raketa dhe trazirave të fundit në Jeruzalem.
“Është një ngjarje e lidhur me palestinezët”, tha ai, duke shtuar se grupet militante të Hamasit ose të Xhihadit Islamik mund të jenë përfshirë në sulmet me raketa. Por ai tha se ushtria besonte se Hezbollahu dhe qeveria libaneze ishin në dijeni të asaj që ndodhi dhe gjithashtu mbajnë përgjegjësi për sulmin. Ai nuk pranoi të thoshte se si mund të përgjigjet Izraeli, por shtoi se ka “skenare të llojeve të ndryshme për këtë”.
Më herët të enjten dhe të mërkurën vonë, militantët palestinezë në Rripin e Gazës hodhën disa raketa në drejtim të Izraelit në shenjë proteste ndaj sulmit të policisë izraelite në Xhaminë Al-Aksa, në zemër të pjesës së vjetër të qytetit të Jeruzalemit, me gaz lotsjellës. Të enjten, Hezbollahu dënoi sulmin e Izraelit në Xhaminë Al-Aksa, duke e quajtur atë “një shkelje flagrante”. Vendi i tretë më i shenjtë i myslimanëve, ndodhet në majë të një kodre, që quhet nga hebrenjtë Mali i Tempullit, vendi më i shenjtë i fesë së tyre.
Asnjë fraksion në Liban nuk mori përgjegjësinë për sulmin me raketa, që aktivizoi sirenat e një sulmi ajror në të gjithë pjesën veriore të vendit. Një zyrtar libanez i sigurisë, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se forcat e sigurisë besonin se raketat ishin lëshuar nga një grup militant palestinez me bazë në Liban, jo nga militantët e Hezbollahut. Zyrtari tha se nuk kishte viktima nga pala libaneze.
Një zëdhënës i Hezbollahut nuk iu përgjigj një kërkese për koment. Si Izraeli ashtu edhe Hezbollahu kanë shmangur konfliktet e hapura që nga pçërfundimi i luftës 34-ditore të vitit 2006.
Tensionet janë rritur përgjatë kufirit libanez pasi Izraeli duket se ka intensifikuar veprimeve ushtarake kundër objektivave të lidhura me Iranin në Siri, një tjetër aleat i ngushtë i Iranit, armiku kryesor i Izraelit në rajon. Sulmet ajrore të dyshuara izraelite në Siri në javët e fundit kanë shkaktuar vrasjen e dy këshilltarëve ushtarakë iranianë dhe kanë nxjerrë përkohësisht jashtë funksionit dy aeroportet më të mëdha të vendit. Nënkoloneli Hecht tha se sulmi me raketa i së enjtes nuk besohet të ketë lidhje me ngjarjet në Siri.
Në Uashington, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel tha se “Izraeli ka shqetësime legjitime për sigurinë dhe ka të drejtë të mbrojë veten”.
Por ai gjithashtu bëri thirrje për qetësi në Jeruzalem. “Ne theksojmë rëndësinë e ruajtjes së status kuo-së historike në vendet e shenjta në Jeruzalem dhe çdo veprim i njëanshëm që rrezikon status kuo-në për ne është i papranueshëm”, tha ai.
Dhuna në zonat e shenjta ka nxitur reagime të shumta nga vendet e rajonit dhe është dënuar nga udhëheqësit e vendeve me shumicë myslimane.