A u dëbua nga Zvicra Rezart Tusha? Prokuroria i përgjigjet ABC News

schedule12:32 - 6 Prill, 2023

schedule 12:32 - 6 Prill, 2023

TIRANË- Partia Socialiste ka kërkuar çregjistrimin e kandidatit të Sali Berishës për Bashkinë e Shijakut, Rezart Tusha. Në kërkesën dorëzuar në KQZ nga selia rozë, thuhet se Rezart Tusha rezulton i dëbuar nga Zvicra në vitin 1997, për posedim të lëndëve narkotike, duke iu ndaluar hyrja për pesë vite.

Abc News iu drejtua për informacion shtesë Prokurorisë së Përgjithshme për “pastërtinë” e figurës së kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” Rezart Tusha.

Në përgjigjen e saj, Prokuroria thotë se autoritetet zvicerane kanë refuzuar t’i përgjigjen kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për dhënien e ndihmës së ndërsjellë juridike.

“Në Prokurorinë e Përgjithshme, mbi bazën e kërkesës së ardhur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, është regjistruar me nr.49, viti 2021, procesi i verifikimit të thelluar për subjektin vetëdeklarues, Rezart Xhelal Tusha, bazuar në Ligjin nr.238/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.Në kuadër të verifikimeve të kryera, rezulton se autoritetet gjyqësore zviceriane, nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, kanë refuzuar t’i përgjigjen kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për dhënien e ndihmës së ndërsjelltë juridike, për shkakun se informacioni nuk është kërkuar  në kuadrin e një procesi penal ndaj subjektit në fjalë.

Në vijim të sa më sipër, duke synuar përdorimin e të gjitha rrugëve të mundshme ligjore për administrimin e informacionit që i shërben këtij procesi,  Sektori i Dekriminalizimit ka vazhduar të kryejë veprime të tjera për verifikimin e plotë për subjektin vetëdeklarues. Me përfundimin e tyre rezultatet e verifikimeve do t’i dërgohen KQZ”, thuhet në reagimin e Prokurorisë së Përgjithshme për ABC News./n.m.abcnws.al