Izraeli po mban mbi 1.000 palestinezë të paraburgosur pa ngritur akuza apo nisur proces gjyqësor ndaj tyre, sipas të dhënave të një grupi izraelit për të drejtat e njeriut. Ky është numri më i lartë që nga viti 2003, tha të martën, 4 prill, grupi HaMoked.
Izraeli thotë se kjo taktikë kontroverse, e njohur si ndalim administrativ, i ndihmon autoritetet t’i pengojnë sulmet dhe të mbajnë militantë të rrezikshëm pa zbuluar materiale inkriminuese për arsye sigurie, shkruan REL.
Palestinezët dhe grupet e të drejtave të njeriut thonë se kjo mënyrë është keqpërdorur gjerësisht dhe pamundëson procesin e rregullt, pasi që të burgosurit administrativë dhe avokatët e tyre e kanë të pamundur të mbrohen kundër provave sekrete të akuzave.
HaMoked, një grup izraelit i të drejtave që mbledh rregullisht shifra nga autoritetet e burgjeve, tha se që nga prilli, kishte 1.016 të burgosur që po mbaheshin në paraburgim administrativ. Pothuajse të gjithë janë palestinezë të arrestuar me ligjin ushtarak, pasi ndalimi administrativ përdoret shumë rrallë kundër hebrenjve. Katër hebrenj izraelitë mbahen aktualisht pa akuza.
“Nuk ka asnjë parashikim se kur do të përfundojë makthi”, tha 48-vjeçarja Manal Abu Bakr në Dheisheh, një kamp refugjatësh pranë qytetit të Betlehemit në Bregun Perëndimor.