Zgjedhjet presidenciale, ABC News në Mal të Zi: Vota e shqiptarëve e ndarë në dy grupime

schedule11:25 - 2 Prill, 2023

schedule 11:25 - 2 Prill, 2023

PODGORICË-Qytetarët e Malit të Zi do të zgjedhin sot në raundin e dytë të votimeve presidentin e ri të vendit. Në garë për këtë post janë dy kandidatë me peshë politike ne vend si Milo Gjukanoviç dhe Jakov Milatoviç.

Gazetarja e ABC News, Linda Karadaku ndodhet në Mal të Zi, ndërsa po e ndjek nga afër procesin dhe atmosferën e këtyre zgjedhjeve, të cilat qytetarët i konsiderojnë shumë të rëndësishme për rrugën dhe orientimin që do marrë Mali i Zi.

“Ne jemi në një nga qendrat e votimit, që është ndër më të mëdhatë në Podgoricë. Janë të rinj, familjarë dhe pleq që po votojnë. Këtu njerëzit duhet të zgjedhin mes Gjukanoviç dhe Jakov Milatoviç. Qytetarët thonë se kjo është data historike për rrugën që do të marrë Mali i Zi”, raporton gazetarja.

Gazetarja thotë se pika që i bashkon të dy kandidatët është se të dy mbështesin rrugën evropiane të vendit, ndërsa ajo që i diferencon është raporti me Serbinë. Konkretisht Milo Gjukanoviç është më I prerë, kurse Jakov Milatoviç kërkon marrëdhënie të mira me Beogradin zyrtar.

“Të dy kandidatët kanë një gjë të përbashkët, që janë në mbështetje të BE dhe anëtarësimit të vendit në BE. Ajo që I ndan është qëndrimi ndaj Serbisë. Kanë ardhur dhe të moshuar me bastun dhe me karrocë me rrota për të votuar”, shtoi ajo.

E pyetur se shqiptarët në Mal të Zi cilin prej kandidatëve mbështesin, për këtë gazetarja Karadaku shprehet se vota e tyre është e ndarë në dy grupime: “Beteja në Mal të Zi bëhet për çdo votë të mundshme dhe dy kandidatët po përpiqen të nxjerrin çdo votues të mundshëm. Shqiptarët janë të ndarë në dy grupime”, shtoi ajo./n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!