Përveç momenteve të panumërta të magjisë futbollistike që Ronaldinho dhuroi për fansat, ai bëri edhe disa gabime gjatë karrierës së tij. Por ndoshta gabimi më i madh që ka bërë ndonjëherë “magjistari” brazilian ka qenë ai i verës së vitit 2012, i cili i ka kushtuar shtrenjtë.
Në atë kohë, ai luante në vendlindjen e tij dhe Atletico Mineiro. Ndër markat e shumta që reklamonte ishte edhe Coca-Cola, por në një konferencë për shtyp të ekipit të tij ai kishte përballë, për arsye reklamimi, disa kanaçe të rivalit Pepsi, i cili sponsorizoi klubin brazilian. Gabimi që bëri Ronaldinho ishte që piu pak nga pijet e gazuara duke hedhur në erë marrëveshjen e tij me Coca-Cola-n.
Pak ditë më vonë, këta të fundit njoftuan ndërprerjen e bashkëpunimit. “Coca-Cola njeh karrierën dhe vlerën e Ronaldinhos, por pas zhvillimeve të fundit është e pamundur të vazhdohet puna me të”, tha kompania gjigante asaj kohe.
Ronaldinho, i cili kishte një kontratë edhe për dy vite me Coca-Cola, humbi shumë para pas këtij zhvillimi. Në veçanti, çdo vit i kontratës me pijen e famshme freskuese i sillte afërsisht 863 mijë euro. Pra humbi mbi 1.5 milionë euro.
Por pasuria e tij tani llogaritet në 90 milionë euro. Për këtë ka kontribuar edhe marrëveshja me Pepsin që bëri disa vite pas “divorcit” me Coca-Cola-n. /G.D abcnews.al/
Burimi: Sport FM