Të enjten u mbyll Takimi për Demokracinë, i organizuar nga Shtetet e Bashkuara, me tematikë: angazhimin për të krijuar teknologji që mbështesin demokracinë, duke parandaluar ndërkohë keqpërdorimin e tyre. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Nike Ching, Kina organizoi paralelisht Forumin Boao për drejtues ndërkombëtarë të sipërmarrjes dhe politikës, me tematikë kryesore iniciativën kineze Një Brez Një Rrugë.
Udhëheqës të qeverive të 120 vendeve morën pjesë në Takimin e dytë për Demokracinë, ku nuk ishin të ftuar drejtuesit nga Moska dhe Pekini. Një nga temat e së enjtes ishte mbështetja e lirisë në internet.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se demokracia po përballet me rreziqe, përfshirë edhe në internet.
“Vende të tjera po ngrenë pengesa dhe po bllokojnë qasjen, duke e përdorur internetin për të kontrolluar fjalën e lirë, për të shtypur disidencën, për të përhapur keqinformim dhe dezinformim”, tha ai.
Në Pekin, zyrtarët kinezë e akuzuan Uashingtonin se po “krijon ndasi nëpër botë” në emër të demokracisë.
Këtë javë, në ishullin jugor Hainan, Kina po organizon Forumin Boao për udhëheqësit në sipërmarrje dhe politikë. Në axhendë përfshihet edhe Iniciativa një Brez një Rrugë, një program i udhëhequr nga Kina për infrastrukturën globale.
Ekspertët thonë se ky është shembulli më i fundit i konkurencës SHBA-Kinë për influencë globale, ndërsa Presidenti kinez Xi Jinping kërkon të rrisë statusin ndërkombëtar të Kinës.
“E shikoj vitin 2023 si një vit në të cilin Kina po thekson sërish diplomacinë e saj dhe rolin në botë… Forumi Boao ka funksionuar prej vitesh, madje përpara se konkurenca SHBA-Kinë të bëhej kaq intensive. Por, mendoj se ka gjithnjë e më shumë rivalitet mes organizatave të udhëhequra nga Kina dhe organizatave perëndimore”, thotë Bonnie Glaser, nga programi për rajonin Indo-Paqësor në Fondin Gjerman Marshall.
Mendimin e tyre për këtë çështje e shprehin edhe të tjerë, si Kryeministri i Singaporit, Lee Hsien Loong.
“Më shqetësuese është gjendja e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Fuqitë e mëdha kanë përgjegjësi të madhe për të mbajtur marrëdhënie të qëndrueshme pune me njëra-tjetrën. Pasi përplasjet mes tyre do të kishin pasoja serioze për ata vetë dhe për botën. E megjithatë, Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë në kundërshti për shumë çështje të vështira, përfshirë tregtinë dhe investimet, zinxhirin e furnizimit, sigurinë kibernetike, teknologjitë e reja dhe ato jetike, si dhe lirinë e lëvizjes në det”, tha kryeministri i Singaporit.
Të enjten, Sekretari i Shtetit Blinken tha se Shtetet e Bashkuara po ndërmarrin hapa për të mbrojtur sigurinë e shtetasve amerikanë nga qeveritë autoritare, ndërsa po shtohen thirrjet nga ligjvënësit për të ndaluar TikTok-un, një aplikacion popullor për shpërndarjen e videove./VOA