Dogjën për së gjalli 61 vjeçarin për 10 milionë lekë/ Dërgohet për gjykim Marjeta Karaj dhe i biri, shoku rrëfeu ngjarjen

schedule11:49 - 30 Mars, 2023

schedule 11:49 - 30 Mars, 2023

Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet për vrasjen e Menduh Kurt-Shabanit vite më parë në Dajt dhe ka dërguar në gjyq tre persona për veprën penale “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim. Të pandehur janë Marjeta Karaj, djali i saj, Besmir Karaj dhe shoku i këtij të fundit, Gazmir Ngota.

Në njoftimin e Prokurorisë theksohet se Gazmir Ngota është penduar dhe ka pranuar të gjithë ngjarjen. Shkak i ngjarjes në zonën e Dajtit u bë një borxh prej 10 milionë lekësh që viktima nuk ia kishte shlyer Marjeta Karajt, me të cilën kishin krijuar një fondacion për kujdesjen e fëmijëve jetim të ushtarakëve.

Këta tre shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi kanë kontaktuar në zonën e Xhamllikut shtetasin Menduh Kurt–Deda, i cili fshihej prej kohësh si pasojë e borxhit të pashlyer, e kanë marrë me forcë në automjet dhe më pas kanë shkuar në zonën e Alliasit ku kanë ushtruar dhunë ndaj tij.

Më pas dy shokët, Besmir Karaj dhe Gazmir Ngota e çuan atë në zonën e Dajtit në vendin e quajtur “Kodër Shupal” dhe pasi e kanë dhunuar dhe lidhur 61-vjeçarin e kanë djegur. Në atë kohë trupi i pajetë u gjet nga barinjtë në zonë. Idenfifikimi u bë nga ADN-ja në këmbën e majtë, e cila ishte më pak e dekompozuar.

Njoftimi i Prokurorisë së Tiranës:

Prokuroria Tiranë dërgon në gjyq 3 persona për Veprën Penale “Vrasje me dashje” kryer në bashkëpunim

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dërgon në gjyq të pandehurit, M. K., B. K., dhe G. N., të akuzuar për veprën penale “Vrasje me dashje” kryer në bashkëpunim të parashikuar nga neni 76-25 i Kodit Penal.

Në përfundim të hetimit mbi procedimit penal nr.4682 të datës 21.06.2017, Prokuroria vlerësoi se personat e mësipërm në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kryer veprën penale “Vrasje me dashje’’ në dëm të viktimës M. K.

Më 16.05.2017 në vendin e quajtur Kodër Shupal, Zall-Bastar Tiranë u gjet një kufomë e seksit mashkull, i cili pas aktit të ekspertimit, u identifikua si shtetasi M.K.

Nga hetimet e prokurorisë, rezultoi se shtetasja M. K., e punësuar si sekretare në një OJF ka pasur mosmarrëveshje të vazhdueshme me të ndjerin, në lidhje me financimin dhe menaxhimin e fondeve të shoqatës.

Në 2017 djali i saj, shtetasi B.K. dhe miku i tij, i pandehuri G.N., me kërkesë të shtetases M.K., kanë marrë të ndjerin në makinë dhe e kanë transportuar në Kodër Shupal. Aty e kanë lidhur dhe ushtruan presion për kthimin e një borxhi që e pandehura M.K., pretendonte se i ndjeri i kishte. Në momentin që viktima ka mohuar borxhin dy personat i kanë vënë flakën.

Shtetasi G.N., shfaqi pendesë dhe pranoi të bashkëpunojë me drejtësinë duke rrëfyer ngjarjen.

Nga rrethanat dhe provat e administruara, gjatë fazës së hetimit paraprak rezultoi plotësisht e provuar se të pandehurit kanë konsumuar elementet e veprës penale “Vrasje me dashje” e kryer në bashkëpunim e parashikuar dhe e dënueshme nga neni 76-25./abcnews.al