Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula e konsideron diçka normale ‘rikthimin’ e Lulzim Bashës, pasi ky i fundit tha se do të marrë pjesë në fushatën për zgjedhjet lokale të 14 majit.
Në një intervistë për ABC News, Sula u shpreh se Basha ka të drejtën e tij për të bërë fushatë, pasi është deputet i Partisë Demokratike.
Por se çfarë ndikimi do ketë Basha, kjo sipas Sulës, mbetet për t’u parë.
“Kjo mbetet për t’u parë. Zoti Basha është deputet i Partisë Demokratike, ish-kryetar i Partisë Demokratike. Sigurisht, ka të gjithë të drejtën e tij që të dalë në fushatë. Është deputet i qarkut të Tiranës, është normale që mund të zhvillojë fushatë. Por unë mendoj dhe gjykoj që mbetet për t’u parë dhe prandaj them që data 14 maj do ndajë shumë gjëra për të dyja palët dhe do shikohet se kush kishte të drejtë. Në fund të fundit, vota është ajo që i ndan gjërat, siç i ndau më 6 mars”, theksoi ai./abcnews.al