Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria i ka përmbushur detyrat për hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE-në. Në një intervistë për Euronews, Rama ka nënvizuar se tashmë gjithçka është në duart e vendeve anëtare, të cilat sipas tij do të vendosin në bazë të zhvillimeve të brendshme.
Edi Rama, kryeministër: Ne jemi gati, bazuar në çfarë komisioni ka parashtruar dhe rekomanduar. Por në të njëjtën kohë ne duhet të përballemi me faktin se vendimmarrjet në Këshillin Europian nuk varen tek ato që bëjmë ne, por tek dinamika e brendshme politike e vendeve anëtare.
Rama thekson se ndarja e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut në procesin e hapjes se negociatave te anetaresimit nuk do të ishte një lëvizje e drejtë e Brukselit, edhe pse është shprehur i vetëdijshëm se Shkupi ka bërë një hap të madh përpara me Marrëveshjen e Prespës.
Edi Rama, kryeministër: Kjo nuk do të ishte diçka strategjike dhe largpamëse, por do të ishte taktike dhe e rëndë për rajonin. Në të njëjtën kohë mendoj se do të ishte e padrejtë. Është e vërtetë se Maqedonia bëri progres me Marrëveshjen e Prespës dhe meriton të shpërblehet, por çështja është, a duhen konflikte për t’u shpërblyer për atë që bën?.
Në vijim të intervistës, Rama ka theksuar se, integrimi i Ballkanit do t’i sillte BE-së më shumë stabilitet dhe siguri, por për momentin, sipas tij, Unioni ka zgjedhur ta mbajë rajonin si një zonë gri, e rrezikuar nga faktorë të tjerë të huaj.
Edi Rama, kryeministër: Është një plan i vazhdueshëm i BE-së për ta tërhequr këtë organ me trupin e tij, por të mos e integrojë në trupin e tij, të ketë një lloj zone gri brenda vetvetes në një kohë kur faktorë të tjerë mund të avancojnë përballë rrëmujës apo zhgënjimit”.
Më tej kryeministri Rama është shprehur i vetëdijshëm se rruga e anëtarësimit në BE është e gjatë dhe ka shprehur gjithashtu bindjen se nuk do të jetë në postin e kryeministrit kur vendi ynë të anëtarësohet në ketë Union./ABC News Albania 24/7