Meta rikthen kontratën koncesionare Milot-Balldren

schedule17:00 - 8 Gusht, 2019

schedule 17:00 - 8 Gusht, 2019

Kontrata koncesionare për ndërtimin e rrugës Milot Balldren është kthyer për rishqyrtim në Kuvend nga Presidenti i Republikës. Ilir Meta argumenton se kjo kontratë është një rrezik për buxhetin e shtetit, dhe se gara nuk ishte transparente. Kreu i shtetit kujton dhe vërejtjet e FMN-së, për rrezikun e shtimit të kontratave me Partneritetit Publik Privat.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend kontratën koncesionare për ndërtimin e aksit Milot-Balldren.

Kreu i shtetit argumenton se Kontrata Koncesionare është nënshkruar në kundërshtim me parimin e shtetit të së drejtës;

“Ky ligj miraton një Kontratë Koncesionare ku vullneti i Qeverisë Shqiptare në këtë proces është formuar në kundërshtim të hapur me interesin publik dhe në shkelje të parimit të konkurrencës së lirë dhe të barazisë përpara ligjit.  Kontrata e lidhur mes autoritetit kontraktoi dhe operatorit ekonomik është formalizuar përgjatë një procesi aspak transparent ndaj publikut dhe pa një bazë ligjore për negocimin e çmimit të saj”.

Ilir Meta vlerëson se kostoja financiare e këtij projekti do të dëmtojë financat e shtetit shqiptar.

“Mungesa e një vlerësimi të qartë ekonomik krijon rrezik për cenim të financave të shtetit. Rriskon seriozisht buxhetin e shtetit, pasi nuk ka një përllogaritje të saktë të efekteve të saj në ekonominë e vendit. Qëllimi i miratimit me ligj të kësaj kontrate është vetëm mbulimi i paligjshmërisë së bërë nga autoriteti kontraktor dhe qeveria shqiptare, me qëllim mos evidentimin e përgjegjësisë në këtë proces dhe mbulimin e çdo paligjshmërie nëpërmjet ligjit”.

Në vijim të argumentit presidencial, kujtohet raporti i FMN-së.

“Në konsultim të raporteve të institucioneve ndërkombëtare, veçanërisht të raportit të FMN-së, të muajit janar 2019, i cili, ka theksuar se vendi ynë në kushtet e rritjes së shpejtë të Partneritetit Publik Privat (PPP) ka rritur për rrjedhojë dhe rreziqet fiskale duke orientuar qeverinë në vendimmarrjen e hapave konkrete me qëllim kontrollimin e tyre, Presidenti i Republikës ka arritur në përfundimin se, ligji i duhet kthyer Kuvendit me qëllim rishikimin”.

Rruga Milot-Balldren ka një gjatësi prej 17,2 kilometrash dhe vlera totale e ndërtimit është 161,5 milionë euro./ABC News Albania 24/7