Shefi ushtarak i Mianmarit zotohet se do ta shtypë rezistencën e grupeve të armatosura

schedule08:21 - 27 Mars, 2023

schedule 08:21 - 27 Mars, 2023

Udhëheqësi i Qeverisë ushtarake të Mianmarit, Min Aung Hlaing, është zotuar se do të përballet me vendosmëri me ato që i ka konsideruar “akte terrori” të grupeve të armatosura të rezistencës.

Ai, po ashtu, i ka akuzuar shtetet që e kritikojnë regjimin e tij se janë duke mbështetur terrorizmin në Mianmar – vend i njohur edhe si Burm, shkruan REL.

Prej kur e ka fituar pushtetin më 2021 – përmes një puçi – ushtria vazhdon të jetë e përfshirë në luftë të përgjakshme civile kundër grupeve të rezistencës.

Si pasojë e këtij konflikti kanë vdekur dhjetëra mijëra njerëz dhe janë zhvendosur më shumë se një milion të tjerë.

Mirëpo gjenerali Aung Hlaing, i cili e ka bërë një deklarim të rrallë në kryeqytet, ka thënë se “forcat e armatosura të Mianmarit nuk do t’i ndalin luftimet ndaj atyre që e kundërshtojnë regjimin”.

Udhëheqësi 66-vjeçar ka thënë se gjendja e luftës është shpallur në këtë shtet për të luftuar “terroristët që synojnë të shkatërrojnë interesat e popullit”.