Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se Shqipëria duhet ta ndihmojë Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Në një pronocim të shkurtër për mediat pas takimeve në Tiranë me krerët e politikës shqiptare, Kurti u shpreh se Shqipëria duhet të mbështesë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, kur flitet në forumet ndërkombëtare.
Sipas Kurtit, Shqipëria duhet të ndihmojë Kosovën edhe me anëtarësime në organizatat ndërkombëtare.
“Ne kërkojmë nga Republika e Shqipërisë, mbështetje në forumet ndërkombëtare për Kosovën. Çdo herë kur diskutohet, duhet të mbrohet Kosova, subjektiviteti i saj, sovraniteti, pavarësia, integriteti territorial. Por gjithashtu, të na ndihmojë edhe në anëtarësime në organizatat ndërkombëtare, meqenëse e dimë se Shqipëria ka ulëse në OKB, është pjesëmarrëse dhe anëtare. Njëkohësisht, desha që t’i informoj në mënyrë që një situatë komplekse e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të jetë sa më e qartë për ta, që dhe mbrojtja që duhet t’ia bëjnë Kosovës, të jetë sa më e saktë”, theksoi Kurti.
Këtë të diel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti zhvilloi takime me krerët e politikës në vend. Kurti u takua me Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, me kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla, kryeministrin Edi Rama dhe me ish-presidentin, Ilir Meta./abcnews.al