Prej vitesh pianist i njohur në Francë, Red Radoja: Muzika në kohët e sotme nuk duhet patjetër të sjellë risi

schedule12:40 - 24 Mars, 2023

schedule 12:40 - 24 Mars, 2023

Red Radoja, djali i të madhit, Guljelm Radoja, jeton prej vitesh në Francë, ku ushtron edhe profesionin e pianistit. Pikërisht, gjatë rrëfimit në emisionin “Pas Mesnate” në ABC News, ai nuk ka nguruar të flasë edhe për muzikën.

Ndër të tjera, Redi ka thënë se muzika në kohët e sotme nuk duhet patjetër të sjellë risi, por mund të bëhet një riciklim i asaj që ka qene. Sipas Radojas, duhet bërë një ndarje e asaj që është zakon, nga ajo që është traditë.

“Mendoj që mënyra si e shoh unë, mbase duhet bërë një ndarje e asaj që është zakon, nga ajo që është traditë. Ajo që është traditë, është diçka si më e errët, që je brenda saj, ose ajo është brenda teje. Diçka që e ke zakon, ose që e kemi zakon të luajmë muzikë kështu psh, ajo edhe mund të zhduket, por diçka që ti je frymëzuar që i vogël dhe ti je pjesë e saj, ti do vazhdosh, diku do ta pasurosh, diku do ta ndryshosh. Edhe këtë e quaj pikërisht atë traditën që është një vazhdimësi e figurave të shquara të së kaluarës si Çesk Zadeja, Tonin Harapi, Nikolla Zoraqi, lista është shumë e gjatë.

Edhe natyra e muzikës sime është neoklasike, është një muzikë që bazohet ende te melodika dhe te disa norma harmonike dhe ritmike që bëjnë të jetë një vazhdimësi e një muzike që nuk i thyen korrnizat. Mendoj që në muzikë nuk duhet sjellë gjithmonë risi, por mund të bëhet një riciklim i asaj që ka qene”, u shpreh ai./abcnews.al