Tenori i njohur, Klodjan Kaçani ka rrëfyer fillimet e tija në muzikë në emisionin “Pas Mesnate” në ABC News. Ai ka treguar se gjithçka ka nisur në qytetin e Vlorës, në Festivalet e Fëmijëve, ndërsa në moshën 12-vjeçare ka filluar të dëgjonte Pavarottin. Më pas, Kaçani u transferua në Liceun Artistik në Tiranë, ku startoi dhe njohjen me botën e lirikës.
“Fillimet e mia kanë qenë në Festivale Fëmijësh, ku në 2 vjet rresht, fitova në qytetin e Vlorës, pasi unë kam lindur në Vlorë. Fitova Festivalin, këndoja çdo ditë, e ndjeja që e kisha pasion. Madje, aty kanë qenë pedagogët e muzikës, ka qenë Koço Zhezha, pedagogu im i muzikës dhe profesori im i letërsisë, Thoma Leka. Kanë qenë personat e parë, që më kanë shtyrë, më kanë thënë që ti do t’ja dalësh, ti je talent, ti duhet të vazhdosh përpara. Në klasë të 7, fillova ta besoj që mund të jem diçka dmth dhe shikoja veten time që imitoja. Atëherë, dëgjoja Pavarottin që 12 vjeç, kam dëgjuar edhe Tre tenorët që jepej në TV atëherë. Ishte diçka që më impresiononte atëherë dhe ishte vërtetë impresionuese. Fillova t’i imitoja. Më pas kam ardhur në Lice, kam bërë vetëm vitin e parë në shkollën e mesme në Vlorë dhe për një mësim më të mirë, u transferova. Aty nisi rrugëtimi im, njohja me botën e lirikës dhe për këtë falenderues i jam gjithë jetën familjes sime, që më ka mbështetur, më mbështet dhe janë fansat e mi të zjarrta”, u shpreh ai./abcnews.al