Shtyhet seanca për padinë eventuale kundër Trumpit

schedule21:17 - 22 Mars, 2023

schedule 21:17 - 22 Mars, 2023

Mediat amerikane kanë raportuar se është shtyrë seanca e një jurie të madhe, e cila do të vlerësojë nëse do të miratojë akuzat kundër ish-presidentit amerikan, Donald Trump, lidhur me një pagesë që i është kryer një ylli të pornografisë, në këmbim të heshtjes.

Mediat amerikane, duke cituar disa burime të afërta, kanë thënë se juria e madhe nuk do të mblidhet të mërkurën, shkruan REL.

E ashtuquajtur juri e madhe, ajo përbëhet prej një grupi të qytetarëve, të cilëve ligji u jep autoritet për të hetuar shkeljet e mundshme penale të një pandehuri dhe të vlerësojnë nëse duhet ndëshkuar ai.

Prokurori i Manhatanit mund të akuzojë Trumpin për mënyrën si e ka deklaruar pagesën për yllin e pornografisë, Stormy Daniels, së cilës i është kërkuar të heshtë për një aferë të supozuar me ish-presidentin amerikan.

Nëse konfirmohet, Trump do të bëhet presidenti i parë në historinë amerikanë që do të ndiqet penalisht.

Ende nuk është e qartë nëse juria e madhe – e cila është krijuar me kërkesë të prokurorit – do të vlerësojë nëse ka të dhëna të mjaftueshme për të çuar përpara rastin.

Takimi i radhës është raportuar të jetë caktuar të enjten, mirëpo burime në sektorin për zbatim të ligjit, u kanë thënë mediave amerikane se ka pak mundësi që të vendoset për këtë rast deri në fund të javës./abcnews.al