Shkrimtarja e njohur, Adelina Mamaqi ka shpërthyer në lot gjatë rrëfimit në ekranin e ABC News. Ajo ka treguar se vitet më të vështira të jetës kanë qenë ato në mërgim.
Sakaq, shkrimtarja u ndal dhe te jeta e bukur që ka kaluar, duke përjashtuar 4 vitet e martesës. Mamaqi ka theksuar se fëmijëve të saj pas divorcit nuk i ka munguar asgjë, që nga edukata intelektuale deri te ushqimi.
“Nuk kam pasur momente, kam pasur vite të vështira, përveç se të vështira, të trishtuara, jashtëzakonisht të trishtuara. I kam përballuar me dy motive, me forcën time të brendshme, që unë jam natyrë që rrëzohem, por dua të ngrihem vetë. Edhe me ato dy shtylla të mëdhaja, në të cilat mbështeten fëmijët e mi. Kam jetuar për ta dhe jetoj për ta.
Unë kam pasur një jetë të bukur që nga fëmijëria. Vajzë e vetme, jo e përkëdhelur, por e rritur me dashuri. Përjashto ato 4 vjet e gjysmë të martesës, u rikthye dhe u bë prap e bukur, sepse kisha dy fëmijë të mrekullueshëm, kisha një familje shumë të dashur dhe shumë të mirë. Jetoja me prindër, të cilët dhe mi rritën. Unë pa nënën time nuk do isha bërë kjo që jam sot. Ajo mi ka rritur dhe mi ka edukuar, nëna vinte nga një shkollë amerikane, plus edhe gjyshja vinte nga një shkollë turke, shqiptare por me shkollë turke, gjyshi ka qenë jurist dhe nuk i ka munguar asgjë fëmijëve të mi, as në edukatë dhe deri në ushqim. Jeta ime ka qenë shumë e bukur, derisa ika në mërgim. Gabimi më i madh i jetës sime, ishte kur djali donte të ikte. U mbyll Kinostudio, ai u zhgënjye dhe gjithë atë dëshirë që kishte mbeti pa punë. Unë me dëshirën time dola në pension të parakohshëm dhe i hodhëm sytë më tutje”, rrëfeu e prekur shkrimtarja./abcnews.al