Veliaj: Kush ka një makinë të dhurojë dy pemë

schedule12:49 - 15 Dhjetor, 2017

schedule 12:49 - 15 Dhjetor, 2017

Thirrjes së Bashkisë së Tiranës që kushdo që zotëron një makinë të dhurojë dy pemë, i janë përgjigjur jo vetëm bizneset dhe sipërmarrjet, por edhe përfaqësitë e huaja diplomatike në Tiranë.

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim dhe përfaqësia e OKB-së në Tiranë i kanë dhuruar Bashkisë së Tiranës 2 pemë për çdo makinë që zotërojnë dhe përdorin në Tiranë, të cilat janë mbjellë në Parkun e Madh të Liqenit Artificial. Në mbjelljen e pemëve morën pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Drejtoresha e PNUD, Limya Eltayeb dhe Brian J. Williams, Koordinator i Përhershëm i OKB-së në Shqipëri, si dhe stafi përfaqësive në Tiranë.

Kryebashkiaku Veliaj vlerësoi gatishmërinë e shprehur nga këto organizma ndërkombëtare për të kontribuar në mbjelljen e pemëve si një masë edhe për të patur një mjedis më të pastër dhe të jetueshëm në Tiranë. “Jam shumë i lumtur sot që Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe i gjithë stafi i tyre në Tiranë na janë bashkuar për mbjelljen e pemëve në Parkun e Liqenit. Sapo kemi hapur një shteg të ri, të cilin po e gjelbërojmë në të dyja anët dhe ato i janë përgjigjur sfidës tonë. Sfida jonë ishte, kush ka një makinë duhet të mbjellë dy pemë. Kështu që, për të gjitha makinat e Kombeve të Bashkuara që qarkullojnë në Tiranë kemi marrë mbrapsht dy pemë”, u shpreh ai.

Veliaj theksoi se për Bashkinë e Tiranës është e rëndësishme që të ecet me këtë ritëm dhe kësaj nisme t’i bashkohen të gjithë ata që kanë një makinë apo edhe çdo qytetar që kërkon që t’u lërë fëmijëve të tij një qytet më të pastër. “Nëse të gjitha bizneset, kompanitë, sipërmarrjet, organizatat e huaja e ato vendore, kushdo që ka një makinë e shumëzon për dy dhe i jep qytetit dy pemë, unë them se në një farë mënyre e ka larë ndërgjegjen nga përdorimi i makinës në Tiranë”, shtoi kryebashkiaku.

Gjithashtu, ai siguroi se Bashkia e Tiranës do të vazhdojë me intensitet të lartë projektin e mbjelljeve të pemëve dhe të krijimit të Pyllit Orbital. “Do vazhdojmë me ambicien tonë për ditë duke mbjellë 2 milionë pemë dhe besoj se një nga arsyet pse ne dhe OKB-ja punojmë kaq mirë bashkë është sepse çdo ditë mundohemi të bëjmë diçka konkrete. Kur kemi agjenci të huaja, lokale që funksionojnë me këtë mentalitet, pra duhet të prodhojmë një rezultat të prekshëm për qytetarët, është mënyra se si mund të avancojmë më shpejt Tiranën dhe ambiciet tona”, theksoi Veliaj.

Ai u shpreh se, vetëm në këtë mënyrë dhe me këtë ritëm, Tirana pas disa vitesh do jetë e rrethuar nga një pyll me 2 milionë pemë. “Nuk ka një buton të cilin ne e shtypim dhe Tirana bëhet qytet i gjelbër nëse nuk mbjellim përditë. Këtë vit po thyejmë rekordin tonë për 100 mijë pemë, do ta vazhdojmë këtë gjatë gjithë kohës, për Krishtlindje, në Vitin e Ri, pushimet e dimrit, deri në prill, derisa të kemi mundësi të mbjellim dhe besoj vitin tjetër do të jemi akoma mirë. Them që deri në vitin 2030 Tirana do ta ketë pajën e vet që është mushkëria që e rrethon qytetin, Pylli Orbital”, .

Për një Tiranë sa më të pastër, Bashkia e Tiranës ka marrë edhe një sërë vendimesh të rëndësishme, si ai për të nxitur përdorimin e mjeteve elektrike në transportin publik dhe nga institucionet e varësisë. Një prej tyre është edhe Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit që do të transformojë mjetet e saj që përdor në Parkun e Liqenit. “Kjo është arsyeja pse Agjencia jonë e Parqeve po e kthen flotën e mjeteve në një flotë elektrike, për t’u siguruar që kjo është realisht një mushkëri e dytë e qytetit, siç është edhe sheshi Skënderbej, një zonë pa makina”, shtoi Veliaj.

Brian J. Williams, Koordinator i Përhershëm i OKB-së në Shqipëri dhe Përfaqësues i Përhershëm i UNDP-së shprehu kënaqësinë për këtë bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës. “Është shumë fantastike. Për çdo makinë që Kombet e Bashkuara kanë në Shqipëri ne kemi mbjellë 2 pemë. Ne kemi UNHCR, UNICEF, IOM, pra të gjitha agjencitë e Kombeve të Bashkuara që po marrin pjesë. Jam shumë i kënaqur që po mbjellim këto pemë tradicionale nga Shqipëria dhe shumë i kënaqur që punojmë me bashkinë”, deklaroi Williams./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!