Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, prodhuesi më i madh i energjisë elektrike në vend, me hidrocentralet mbi kaskadën e lumit Drin, parashikon që ndryshimet klimatike të mos jenë pa ndikim në afatgjatë.
Të pyetur nga “Monitor”, përfaqësues të KESH thanë se korporata ka të miratuar planin e menaxhimit të riskut të ndryshimeve klimatike, me vendim të Këshillit Mbikëqyrës, Nr. 15, datë 13.12.2018, ku janë paraqitur ndikimet që mund të sjellin kushtet e reja klimatike në kaskadë.
“Rënia e parashikuar e reshjeve dhe rritja e pritshme e humbjeve të ujit, nga evapotranspirimi i shkaktuar nga temperaturat më të larta të ajrit, do të rezultojë në uljen e prurjeve mesatare vjetore prej rreth 5% në terma afatshkurtër dhe deri në 10% në terma afatmesëm.
Duke përdorur prodhimin mesatar vjetor të 10 viteve të fundit si referencë (4400 GWh), ky reduktim i prurjeve është i barabartë me një humbje në prodhimin mesatar vjetor në përafërsisht 220 GWh (afatshkurtër) deri në 440 GWh (afatmesëm)” nënvizon KESH.
Ndryshimet klimatike janë një çështje që po trajtohet me theks të veçantë viteve të fundit dhe Shqipëria nuk është imune ndaj një problemi global. Një ndër sektorët që ndikohet nga këto zhvillime është energjia. A ka KESH sot një vlerësim të përgjithshëm për ndikimet e ndryshimeve klimatike në kaskadën e Drinit, si prodhuesi më i madh në vend?
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka hartuar dhe miratuar planin e menaxhimit të riskut të ndryshimeve klimatike, me vendim të Këshillit Mbikëqyrës Nr. 15, datë 13.12.2018.
Në këtë plan janë paraqitur qartë ndikimi i ndryshimeve klimatike në basenin e lumit Drin dhe masat për t’u përshtatur ndaj këtyre ndryshimeve klimatike, duke ofruar një qasje të formalizuar dhe analitike drejt menaxhimit të kapaciteteve në operimet e KESH-it për të përballuar ndryshimet klimatike, si një gjenerator hidroenergjetik dhe furnizues i energjisë elektrike.
Në zbatim të këtij plani, KESH Sh.a., ka marrë një sërë masash konkrete, strukturore dhe jostrukturore.
Cilat janë zhvillimet apo format me të cilat këto ndryshime manifestohen në prodhimin e energjisë, apo në kaskadë në sasinë e ujit të disponueshëm, ngjarjeve që ndodhin në kushte ekstreme moti, si thatësira, apo volumet e ujit në raste prurjesh të larta?
Në Planin e Menaxhimit të Riskut ndaj Ndryshimeve Klimatike janë bërë parashikime për të ardhmen afatshkurtër (2020-2039) dhe të ardhmen afatmesme (2040-2059). Rritja e parashikuar e temperaturës së ajrit për të ardhmen afatmesme është në nivelin 2-3.5 ° C me rritjen më të lartë të temperaturës, që pritet gjatë muajve të verës.
Për sasinë e reshjeve në basenin e lumit të Drinit parashikohet një rënie e lehtë. Për të ardhmen afatmesme, rënia e pritur është në nivelin 5%, me një reduktim të reshjeve pothuajse në të gjitha stinët. Si rezultat i rritjes së temperaturës, gjatë sezonit të dimrit do të bjerë më pak reshje bore dhe më shumë reshje shiu, gjë që do të reduktojë ndjeshëm akumulimin e dëborës.
Rënia e parashikuar e reshjeve dhe rritja e pritshme e humbjeve të ujit, nga evapotranspirimi i shkaktuar nga temperaturat më të larta të ajrit, do të rezultojë në uljen e prurjeve mesatare vjetore prej rreth 5% në terma afatshkurtër dhe deri në 10% në terma afatmesëm.
Duke përdorur prodhimin mesatar vjetor të 10 viteve të fundit si referencë (4400 GWh), ky reduktim i prurjeve është i barabartë me një humbje në prodhimin mesatar vjetor në përafërsisht 220 GWh (afatshkurtër) deri në 440 GWh (afatmesëm).
Ndërsa vlerat mesatare vjetore të reshjeve dhe prurjeve pritet të ulen, frekuenca e ngjarjeve me reshje maksimale ka gjasa të rritet. Kjo mundësisht do të çojë në ndodhjen më të shpeshtë të prurjeve maksimale (lokale), e cila është e rëndësishme veçanërisht për operimin e rezervuarit të Komanit.
Ndryshime të tjera priten në kushtet hidrologjike për të ardhmen afatshkurtër dhe afatmesme, duke përfshirë rritjen e shkallës së erozionit dhe depozitimit të sedimenteve në rezervuare.
Cilat janë masat e marra apo planifikohen të merren për t’i minimizuar efektet e ndryshimeve klimatike dhe kushteve ekstreme të motit nga kompania?
Masat Strukturore
- Sistemi i Monitorimit Hidro-meteorologjik – përfunduar
- Qendra e Monitorimit dhe Dispeçerisë e Kaskadës së Drinit -prokuruar është në proces ndërtimi.
- Krijimi i një Njësie Tregtare.
- Menaxhimi i Sedimenteve në rezervuarët e Komanit, Fierzës dhe Vaut të Dejës.
- Rehabilitimi i shkarkueseve në Fierzë, Koman dhe Vaun e Dejës– proces, pjesërisht i përfunduar.
- Rritja e kapacitetit të shkarkuesve në Fierzë dhe Koman
- Instalimi i Sistemeve të Pompimit për të Rezervuar ujë
- Zbatimi i projektit të Skavicës – në proces.
- Projektet në teknologjitë e tjera të burimeve të energjisë së rinovueshme (duke përfshirë PV lundrues) – ndërtuar PV Qyrsaq, janë në proces një sërë projekte të ngjashme.
- Ndërtimi i sistemeve të Alarmit – realizuar.
- Ndërtimi i modelit hidrologjik të lumit Drin – realizuar.
Masat jostrukturore
- Zbatimi, monitorimi dhe përditësimi i rregullt i PMRNK – kryhet rregullisht.
- Zbatimi dhe përditësimi i rregullt i planeve të gatishmërisë në rastet e emergjencave – kryhet rregullisht.
- Aksesi në produktet e tregut për parashikimet e motit dhe të klimës – realizuar.
- Parashikimi i prurjeve dhe optimizimi i funksionimit të rezervuarit – proces.
- Udhëzimet e dispeçerisë dhe përditësimi i rregullave të operimit të rezervuarit.
- Strategjia e tregtimit.
- Strategjia e prodhimit.
- Instrumentet financiare.
- Krijimi dhe zhvillimi i mëtejshëm i Ekspertizës Rregullatore.
- Vendosja e proceseve të strategjisë së praktikave më të mira dhe lidhja me procesin e PMRNK.
- Përmirësim dhe optimizim i mëtejshëm i aktiviteteve të Operimit dhe Mirëmbajtjes. /Monitor