KQZ dështoi sot të mblidhej për të shqyrtuar kërkesën e 3 partive opozitare për t’u regjistruar në zgjedhjet e 13 Tetorit. Shkak u bë mungesa e kuorumit, pasi 4 anëtarët e propozuar nga PS ikën me pushime, dhe Klement Zguri nuk e çeli dot mbledhjen e thirrur nga vetë ai.
Klement Zguri hyri në sallën e mbledhjeve të KQZ-së, fiks në orën 10 : 00, kur kishte thirrur mbledhjen.
Në këto kushte, KQZ nuk mundi të shqyrtojë kërkesën e LSI-së, PR-së dhe Partisë Agrare për të nisur procedurat për 13 Tetorin.
4 anëtarët e propozuar nga Partia Socialiste nuk ndodheshin në institucion. Deri të hënën është afati i fundit, nëse 13 Tetori do të quhet në fuqi, që partitë, përfshi dhe PD-në të kërkojnë regjistrimin në zgjedhje. /ABC News Albania 24/7