Më shumë se 100 deputetë të Parlamentit Evropian kanë nënshkruar një letër që ia kanë dërguar presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin, duke i kërkuar që ekipi i kombëtares së Bjellorusisë të përjashtohet nga garate kualifikimeve për Euro 2024.
Argumenti i kësaj kërkese ishte se Bjellorusia mbështet dhe merr pjesë në agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës. Në letër gjithashtu ishte shkruar se futbolli dhe sporti në përgjithësi janë përdorur nga lideri bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, për përhapjen e propagandës politike.
Po ashtu, ka pasur thirrje që Bjellorusisë t’i ndalohet pjesëmarrja në garat ndërkombëtare të futbollit, ashtu siç i është ndaluar Rusisë. Por, UEFA deri më tani u ka rezistuar thirrjeve të tilla, duke nënvizuar se në një masë Bjellorusia është sanksionuar duke ia pamundësuar që të zhvillojë ndeshje ndërkombëtare në territorin e saj.
Për shkak të pamundësisë që të zhvillojë ndeshje në fushën e vet, Bjellorusia ka zgjedhur që disa ndeshje kualifikuese t’i zhvillojë në Serbi. Në grup, përveç Kosovës dhe Bjellorusisë, janë edhe Zvicra, Rumania, Izraeli dhe Andorra. Ndeshjet për kualifikime nisin javën e ardhshme.
Ndryshe, Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022, duke përdorur territorin e Bjellorusisë për të nisur sulmet. Megjithatë, Minsku mohon se është palë në konflikt./ h.ll/abcnews.al