Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro ndodhen në Tepelenë, ku po marrin pjesë në një aktivitet për prezantimin e Lumit Vjosa si Park Kombëtar. Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë e cilësoi shpalljen e Vjosës Park Kombëtar si një moment të rëndësishëm për vendin tonë.
“Ky është një moment historik në përpjekjen për mbrojtjen e natyrës dhe për transformimin e mendësisë lidhur me natyrën, si një hapësirë e përbashkët ku zhvillimi ekonomik, social dhe trashëgimia për brezat që vijnë, mund të shihet krejt ndryshe nga sa rëndom jemi mësuar, duke kërkuar tek shfrytëzimi pa kriter i natyrës.
Ky është një moment i rëndësishëm për vendin tonë sepse sanksionojmë atë që kemi dëshiruar shumë që në krye të herës, kur kemi marrë mandatin për të qeverisur dhe atë që për ta bërë realitet na u desh kohë pasi nuk është një vendim i lehtë por i vështirë për disa arsye shpalljen e Vjosës Park Kombëtar.“, tha Rama.
Kryeministri nuk kurseu edhe komentin për të gjithë evropianët që bënë fushatë për mbrojtjen e Lumit Vjosa. Kreu i qeverisë theksoi se pasi “zbutën lumenjtë e tyre të egër në Europë, kërkonin mbrojtjen e lumit të Vjosës”.
“Më vjen shumë mirë që ia dolëm kësaj ndërmarrjeje sfiduese dhe patjetër që jam shumë mirënjohës të gjithë atyre që kontribuuan për të ardhur deri këtu ku dua të vecoj dy njerëz, Mirelën dhe Adelinën, drejtoren tonë të agjencisë së planifikimit, të cilat me shumë këmbëngulje dhe durim bashkërenduan shumë forca që u bënë bashkë në këtë proces.
Sot ne mbrojmë përgjithmonë lumin e fundit të egër të Evropës dhe në këtë rrugë patëm shumë evropianë që pasi i zbutën lumenjtë e tyre të egër, u turrën tek Vjosa që ta mbrojnë nga zbutja. Pasi i kthyen tigrat e natyrës së tyre në mace shtëpiake, u turrën drejt nesh që të mos guxojmë të zbusim tigrin tonë.
Është kënaqësi që iu japim mundësi që atyre të bëjnë një larje sado të sipërfaqshme të ndërgjegjes së tyre”, tha Rama./abcnews.al


