“Vdes” traktati i 87-ës, SHBA tërhiqen zyrtarisht nga marrëveshja bërthamore

schedule13:50 - 2 Gusht, 2019

schedule 13:50 - 2 Gusht, 2019

Shtetet e Bashkuara janë tërhequr zyrtarisht nga traktati bërthamor i vitit 1987, që ndalonte vendosjen në terren të raketave me rreze të mesme veprimi. Uashingtoni zyrtar ka akuzuar Moskën si përgjegjësen e vetme për shfuqizimin e marrëveshjes së arritur nga presidentët Ronald Regan dhe Mikhail Gorbaçov.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë tërhequr zyrtarisht të premten nga traktati bërthamor me Rusinë, duke rritur frikën për nisjen e një gare të re armatimi mes dy superfuqive. Traktati për raketat bërthamore me rreze të mesme veprimi ishte nënshkruar në vitin 1987 nga presidenti amerikan Ronald Regan dhe lideri i Bashkimit Sovietik, Mikhail Gorbaçov. Ai ndalonte raketat që mbulonin një rreze veprimi nga 500 deri në 5.500 kilometra. Por më herët gjatë vitit Shtetet e Bashkuara dhe NATO akuzuan Rusinë se e kishte shkelur marrëveshjen, duke vendosur në terren modele të reja të raketës “Kruis”, akuzë të cilën Moska e ka mohuar vazhdimisht. “Rusia është përgjegjësja e vetme për shfuqizimin e traktatit”, deklaroi të premten sekretari amerikan i Shtetit, Majk Pompeo. Ai shtoi se, me mbështetjen e plotë të NATO-s, Amerika ka konstatuar shkeljen e traktatit nga Rusia dhe rrjedhimisht ka pezulluar detyrimet që rrjedhin prej tij. Po të premten, përmes një deklarate të publikuar nga agjencia e lajmeve “RIA Novosti”, Ministria e Jashtme ruse konfirmoi se traktati i vitit 1987 praktikisht “ka vdekur”. Në shkurt të këtij viti, presidenti Donald Trump caktoi datën 2 gusht si afatin e fundit për tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nëse Rusia nuk përmbushte detyrimet e saj. Me një lëvizje të ngjashme, pak kohë më vonë presidenti rus Putin tërhoqi vendin e tij nga detyrimet që rrjedhin nga traktati. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!