TIRANË- Shqipëria dhe Kosova konsiderohen si dy shtet aleate dhe besnike të palëkundura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por, çfarë ndikon që kjo “dashuri” kaq e madhe manifestohet me kaq zell ndër shqiptarë?
Kjo temë u diskutua sot në studion e “Lufta dhe Paqja” në ABC News. Avokati Spartak Ngjela, tha se pas Austro-Hungarisë që na bëri shtet, ShBA-ja e ka dëshmuar se është një aleat i madh i faktorit shqiptar në Ballkan.
Si shembull të mbështetjes për Shqipërinë dhe shqiptarët, Ngjela përmendi veton amerikane në 1919 në Paris.
“Që pas Austro-Hungarisë, SHBA është mbrojtësi më i madh I botës shqiptare në BP. Shqiptarët në Ballkan kanë qenë njerëzit më të kërcënuar në 400 vjet dhe pas Austro-Hungarisë, që me vështirësi të madhe na bëri shtet. Po të mos ishte vetoja amerikane në Paris në 1919, Shqipëria do ishte shuar. Serbia dhe Greqia donin të merrnin 90% të territorit të Shqipërisë, pa lëri tjerat. Vetoja shpëtoi Shqipërinë dhe nga ky moment filloi histori e re”, tha Ngjela.
Ai theksoi se edhe në vitet e mëvonshme, SHBA tregoi se është një aleate e madhe dhe e pazëvendësueshme e shqiptarëve. Avokati theksoi se sot në Ballkanin Perëndimor janë dy shtete të pavarura, dhe kjo është meritë e fortë e SHBA.
“Pas 1991, mbrojtësi i madh i shqiptarëve dolën SHBA. Në 1999 bën luftë botërore dhe çliruan Kosovën dhe Kosova tani është e pavarura dhe janë dy shtete shqiptare të pavarura në Ballkanin Perëndimor. Si mos të jenë shqiptarët me SHBA. Kë dëgjoni ju, përrallat e pushtuesve të Shqipërisë. Tani bota shqiptare në Ballkanin Perëndimor, ka dy shtete. Do shkojë më tutje apo jo, këtë duhet të presim. Këtu ka ardhur koha të flasim për bashkimin kombëtar dhe këtë e ka në dorë forcat e politikës amerikane. Të gjitha këto konvergojnë në një pikë: 97 -98% të shqiptarëve janë pro-amerikanë”, tha ai./abcnews.al