Gjendja në shumicën e vijave të frontit në Ukrainë është ndryshe nga pamjet që bota po sheh në Bakhmut, ku po zhvillohen luftime rrugë më rrugë.
Ushtarët në llogore duhet të tregojnë durim, ndërsa presin urdhrat për ndonjë mision, ose përballen me sulme të forcave armike.
Materiali në vazhdim sjell situatën në qytetin Velika Novosilka në rajonin e Donbasit të Ukrainës lindore.
Ndërsa presin, ushtarët, herë janë të duruar e herë të mërzitur.
Gjithë vëmendja e tyre është tek komunikimi me radio.
Të pozicionuar në një bunker në pyjet e Donbasit jugor, ata nuk kanë informata se çfarë po ndodh në vijën e frontit, gjashtë kilometra më larg.
Por, papritur qetësia prishet.
Ata nuk dinë se çfarë kanë goditur. Nuk e dinë nëse e kanë goditur objektivin ose jo. Ata thjesht realizojnë misionin sipas koordinatave që marrin me radio.
“Morëm urdhër. Kemi një objektiv. Qëllojmë një herë dhe presim”, thotë për Zërin e Amerikës, Ivani, ushtar ukrainas.
Ai drejton një togë artilerie.
Kohën më të madhe e kalon në këtë bunker, ose pranë tankut të epokës sovjetike 2S3 Akatsiya.
Ekipi i tij merr pak urdhra brenda një dite. Ndonjëherë angazhimi i tyre kërkohet vetëm disa herë në javë.
Bakhmuti bën përjashtim nga afër 1 mijë kilometrat e vijës së frontit, që ndajnë Ukrainën nga Donbasi verior në jug të Khersonit. Lufta këtu është pritje e lodhshme në llogore dhe pyje.
“Ata kanë tanke dhe automjete të blinduara, në atë drejtim. Ndonjëherë na qëllojnë me raketa”, thotë Sergi, një ushtar tjetër.
Ai ndodhet në këto llogore që nga prilli.
Lufta këtu, sikur edhe pothuajse në çdo pikë kontakti midis rusëve dhe ukrainasve, nuk ka ndryshuar prej muajsh.
Që nga ofensiva e madhe ukrainase në vjeshtë, përparimet dhe tërheqjet janë të rralla.
Në këto llogore, ushtarët vëzhgojnë me kujdes lëvizjet në fushën e hapur dhe të minuar, që i ndan ata nga ushtarët rusë. Herë pas here, ata sulmojnë njëri-tjetrin.
Pastaj, mbizotëron heshtja. Ushtarët kthehen në rutinën e tyre të lodhshme të patrullimit, vëzhgimit të fushave dhe monitorimit të qiellit për ndonjë dron.
Jo shumë larg nga këtu, në një shtëpi në hyrje të qytetit të vogël fantazmë, Velika Novosilka, ndodhen Sasha dhe Alexey.
Qëndrimi i gjatë atje u ka dhënë kohë të mendojnë se për çfarë po luftohet.
“Lufta është shumë më ndryshe nga ajo që imagjiinoja. Njerëzit nuk tregojnë gjithçka. Ata fshehin detajet. Madje edhe njerku im më mbante gjëra fshehur”, thotë Sasha.
Ditën kur Sasha dhe Sergey biseduan me Zërin e Amerikës, ata po hapnin një tunel nën shtëpinë e vogël, që i kishte strehuar për kaq shumë kohë.
Ata thanë se kjo është një mënyrë e mirë për të qëndruar të angazhuar kur nuk mund të bëjnë gjë tjetër, veçse të presin./VOA