Akuzat për portin e Sarandës, ministrja Xhaçka thirret në SPAK

schedule13:10 - 13 Mars, 2023

schedule 13:10 - 13 Mars, 2023

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme për t’u marrë në pyetje, në cilësinë e personit që ka dijeni në lidhje me privatizimin e bazave detare të ushtrisë.

Ministrja Xhaçka ka mbërritur në SPAK rreth orës 13:00, ku pritet të japë deklarime sa i takon një kallëzimi të bërë më herët nga Artur Mecollari, i cili ka kallëzuar një sërë zyrtarësh të Ministrisë së Mbrojtjes, përfshi edhe ministren e Mbrojtjes të asaj kohe Olta Xhaçka me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Shkurtimisht për mediat, Xhacka u shpreh se nuk ka kryer asnjëherë shkelje ligji dhe gjithmonë ka qenë në funksion të detyrës së saj.

“Pa diskutim, unë jam në dispozicion të drejtësisë dhe në fakt kjo është arsyeja për të cilën kemi punuar, kemi luftuar dhe kemi votuar që të gjithë të jenë në dispozicion të drejtësisë për të dhënë shpjegime, për t’u pyetur edhe për të kthyer përgjigje për të gjithë ato çështje, të cilat gjykohen se, duhet të hetohen dhe unë nuk bëjë përjashtim, edhe në funksionin që kam. Por, patjetër është e mirëseardhur dita për mua kur do të marrin përgjigje nga drejtësia edhe shpifje të ulëta, si ajo e përdorimit të aseteve publike për arsye elektorale, por edhe alarmi fals që asete, të cilat, për fat të keq kanë qëndruar mes ndryshqeve do të kthehen sot në asete me vlerë, siç është rasti i Portit të Sarandës, ku nuk ndryshon, as baza detare, e cila do të jetë më e mirë, si një bazë ndihmëse në funksion të Forcave të Armatosura dhe të Flotës Detare, por edhe vendit do t’i jepet një port turistik për zhvillimin e ekonomisë”, tha Xhaçka.

Kujtojmë se vetëm pak ditë më parë prokuroria ka vendosur në sekuestro preventive një sipërfaqe të madhe tokë në portin e Limionit, që ka qenë në pronësi të ushtrisë dhe sipas kallëzimit ajo iu dha me qera biznesmenëve të ndryshëm në kundërshtim me ligjin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!