Gjatë rrëfimit të saj në emisionin “Pas Mesnate” në ekranin e ABC News, pianistja e njohur, Anita Tartari, ka folur edhe për të bijën, Emi, e cila ka ndjekur studimet jashtë Shqipërie.
Ajo e ka konsideruar këtë vendim të së bijës një dritare të hapur edhe për të.
“Mbas viteve ’90, vajza shkoi për studime jashtë shtetit dhe për mua u hap një dritare tjetër se kush është ai instrumentist që nuk ka dëshirë që të luaj edhe jashtë përveç se në Shqipëri. Kemi bërë shumë koncerte bashkë, me dy piano, me katër duar dhe vazhdojmë akoma”, u shpreh Tartari.
Më tej, ajo kujtoi dhe periudhën kur profesori Tonin Harapi e drejtoi drejt mësuesisë, duke i mësuar edhe shumë gjëra jashtë profesionit.
“Të them të drejtën me muzikën shqiptare jam marr shumë, jam marr vetë. Në Dekadat e Majit, mund të kem 10 edicione që kam luajtur, edhe si soliste, edhe si muzikë dhome, jo vetëm të Tonin Harapit, Feim Ibraimit, Limon Dizdarit, Aleksandër Peçit, jo të gjitha solo, por edhe me partnerë të tjerë. Me profesor Tonin Harapin, unë kam qene studente, ai ka qene pedagog. Ai na jepte lëndën e Muzikës së Dhomës, e cila për një instrumentist është një nga më kryesoret dhe një nga më të bukurat, sepse analizon tamam atë që luan, por e analizon në mënyrën teorike, mirëpo, kjo teori duhet edhe nga ana praktike dikush të luajë. Edhe ai më zgjodhi mua, unë isha studente dhe ai pedagog. Edhe në një moment, unë ja mora dorën, ja mora mjeshtërinë, saqë më thotë që mund t’i japësh edhe ti mësimin dhe të vazhdosh të demostrosh. Ishte një ngjarje shumë e bukur, një besim pa kushte. Edhe që nga ai moment kam luajtur të gjitha veprat e tij.
Profesor Tonin Harapi ishte një njeri i veçantë, që jepte vazhdimisht kulturë, rrezatonte art dhe në çdo bisedë gjithmonë do të tregonte diçka o nga krijimtaria e tij e bukur, ose diçka ku kishte studiuar, çfarë i kishin thënë profesorët e tij”, tregoi pianistja./abcnews.al