Pushteti i Bashkisë së Rrogozhinës kaloi paqësisht në duart e socialistëve. Këtë të hënë u konstituua Këshilli i ri Bashkiak, ndërkohë që më pas u betua edhe kryetari i ri, Haxhi Memolla. Ky i fundit pasi kreu betimin mori një përqafim nga ish-kryetari Beqir Nuredini.
“Pushteti kaloi paqësisht. Falenderoj të gjithë palët që ishin pjesëmarrëse. Gjithashtu edhe kryetarin e bashkisë aktual sepse kemi pasur marrëdhënie të mira gjatë këtyre 4 vjetëve që kam punuar dhe kam qenë nënkryetar bashkie bashkë me të”, tha Haxhi Memolla.
Ndërkohë nga ana tjetër, ish-kryetari Beqir Nuredini në një prononcim të shkurtër për mediat deklaroi se e konsideron të pavlefshëm procesin e 30 Qershorit. Ndër të tjera, Nuredini theksoi se nuk ka ndërmend të përplasë qytetarët e Rrogozhinës me njëri-tjetrin, kështu që ka vendosur ta lirojë paqësisht godinën ku punoi për katër vite.
“Sigurisht që e konsiderojmë të pavlefshëm të gjithë këtë proces për aq kohë sa edhe dekreti i Presidentit për ne është i vlefshëm dhe është akoma në fuqi. Një qeveri që ka kapur të gjitha pushtetet sigurisht që ka gjykuar të vlefshme të merrte dhe këtë godinë në Bashkinë e Rrogozhinës. Unë nuk kam ndërmend të përplas njerëzit me njëri-tjetrin për aq kohë sa janë bashkëqytetarë dhe jetojnë me njëri-tjetrin, kështu që kam vendosur ta liroj paqësisht këtë godinë me këtë arsyetim besoj të logjikshëm”, tha Nuredini.
21 anëtarë do të ketë Këshilli Bashkiak i Rrogozhinës, 20 prej të cilëve i përkasin Aleancës për Shqipërinë Europiane dhe 1 i përket Demokracisë Sociale. Në mbledhje qw u zhvillua këtë të hënë ishin të pranishëm edhe Arben Ahmetaj dhe Elisa Spiropali. Rrogozhina është një prej bashkive ku Partia Socialiste nuk pati kundërshtarë përballë më 30 Qershor dhe nga PDIU-ja kalon në drejtimin e PS-së. /abcnews.al