Eksperti i gjeopolitikës, Enri Hide, gjatë intervistës për emisionin “Lufta dhe Paqja” me gazetarin Artur Zheji komentoi edhe raportin Rusi-Kinë. Eksperti tha se Perëndimi gaboi kur mendoi se Rusia kishte fuqi të jashtëzakonshme ushtarake pasi nëse do të ishte kështu do ta kishte fituar luftën.
“Nëse Rusia do ta kishte teknologjinë të jashtëzakonshme do ta kishte fituar luftën. Rusia nuk ka qenë, ishte një gabim i madh i Perëndimit që besuan te aftësitë ushtarake ruse. Britania e madhe është po aq e fortë sepse ka edhe armë bërthamore. Kina po tenton që të fuqizojë teknologjinë e saj ushtarake.
Por e jashtëzakonshme nuk duket. Në terren ka rezultuar e gabuar. Sistemi i saj raketor ka dështuar të kapë edhe dronët.”, tha ai duke iu referuar luftës në Ukrainë. Më tej, ai shtoi se Kina me veprimet e saj të fundit, po shfrytëzon Rusinë që të arrijë të bëhet poli i vetëm në botë.
“Mendoj se Kina është ajo që po e përdor më shumë Rusinë se anasjelltas. Duket sikur është poli më i rëndësishëm që duket se po del duke shfrytëzuar Rusinë, duke bashkëpunuar me të ose duke i shkelur asaj herë pas herë syrin për t’u ngritur si pol i vetëm me 1.8 miliardë banorë.
Me një kapacitete teknologjike të pakufishme mund të arrijë të jetë kundër balanca e Perëndimit por gjithcka do të varet në planin afatgjatë dhe sa i gatshëm do të jetë Perëndimi që t’i futet këtij lloj kursi.”, u shpreh ai./abcnews.al