Kryeministri Sunak: Nëse vini ilegalisht në Britaninë e Madhe, nuk do mund të qëndroni

schedule17:28 - 5 Mars, 2023

schedule 17:28 - 5 Mars, 2023

Kushdo që hyn ilegalisht në Britaninë e Madhe nuk do të lejohet të qëndrojë, tha kryeministri Rishi Sunak në një intervistë të botuar sot, ndërsa javën e ardhshme qeveria britanike pritet të bëjë publik projektligjin që synon të frenojë emigracionin e paligjshëm.

I gjendur nën trysninë e ligjvënësve të partisë së tij për të gjetur një zgjidhje për fluksin e emigrantëve që mbërrijnë në Britani përmes kanalit të La Manshit nga Evropa, zoti Sunak e ka përcaktuar ndalimin e varkave të vogla si një nga pesë përparësitë e tij. “Mos bëni gabim; nëse vini këtu ilegalisht, nuk do të mund të qëndroni”, tha kryeministri Sunak për gazetën britanike “Mail on Sunday”.

Sipas kryeministrit Rishi Sunak, i cituar nga shtypi britanik në 13 dhjetor të vitit të kaluar, përgjatë vitit 2022 në Britaninë e Madhe kishin mbërritur 13 mijë shqiptarë, sa 1/3 e emigrantëve që kishin hyrë në Britani përmes kanalit të La Manshit.

Projektligji i ri i qeverisë britanike që synon të frenojë emigracionin e paligjshëm, pritet të bëhet publik të martën, njoftoi gazeta “Mail on Sunday”, ndërsa vitin e kaluar, 45,000 persona raportohet se kanë kaluar me varka drejt Britanisë së Madhe.

Në vitin 2022, ish-kryeministri britanik Boris Johnson ra dakord për një marrëveshje për dërgimin në Ruanda, të dhjetëra mijëra emigrantëve, shumë prej të cilëve ishin larguar nga vende në konflikt si Siria, Afganistani ose vende të tjera.

Marrëveshja është përballur me një betejë ligjore pasi dëbimi i emigrantëve të parë u bllokua nga një urdhër i minutës së fundit të dhënë nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Vendimi u shpall i ligjshëm nga Gjykata e Lartë e Londrës në dhjetor, por kundërshtarët po synojnë ta apelojnë atë.

I pyetur në televizionin britanik Sky News nëse atyre që mbërrijnë ilegalisht në Britani do t’u ndalohet të kërkojnë azil, ministri Chris Heaton-Harris tha: “Besoj se po”. “Nëse njerëzit vijnë në këtë vend ilegalisht, atëherë ata do të kthehen ose do të dërgohen diku si p.sh. në Ruanda”, theksoi ai.

I pyetur se si azilkërkuesit e vërtetë do të mund të kërkonin strehim, ministry Heaton-Harris tha se ishte i sigurt se do të ketë rrugë më të sigurta dhe të ligjshme./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!