Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pritet të raportojë në Kuvend në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi të enjten nga ora 13:00.
Kjo u bë pas kërkesës së liderëve të partive opozitare për të debatuar në Kuvend në lidhje me propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, pas takimit të nivelit të lartë që Kurti e kishte me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 27 shkurt në Bruksel.
Mocionin për ndryshim të rendit të ditës së seancës për të përfshirë një raportim të kryeministrit para deputetëve e bëri kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Abdixhiku, gjatë prezantimit të këtij mocioni, kritikoi propozim europian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
“Marrëveshja(propozimi evropian) e pa prezantuar në Kuvend, u prezantua po në natën e 27 shkurtit. Nga ky publikim u vërtetuan të gjitha brengat tona të ngritura në këtë Kuvend. Ajo as nuk ishte finale, as nuk përmbante njohjen e ndërsjellë”, tha Abdixhiku.
Çfarë pas pranimit të propozimit të BE-s?
Ai tha se preambula e këtij propozimi që ndër të tjerat përmban tekstin “për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës” dhe “pa paragjykuar pozicionet e ndryshme të palëve në lidhje me çështjet themelore, përfshirë çështjen e statusit”, paraqet dëm historik për Kosovën.
“Marrëveshja Kurti-Vuçiq përveçse tejkalon trashëgiminë e së shkuarës, sjell neturalitetin ndaj statusit politik dhe atë si vlerë”, tha ai.
Kryeministri Kurti nuk ishte prezent në Kuvend dhe këtë fakt e kritikoi kryetari i partisë tjetër opozitare, Memli Krasniqi, nga Partia Demokratike e Kosovës.
“Sot është dita e katërt që prej kur kryeministri ka deklaruar se e pranon marrëveshjen në bazë të propozimit evropian. Një politikan i përgjegjëshëm do të kishte ardhur vetë, pa e ftuar. Por kryeministri i Kosovës nuk është këtu as sot. Unë nuk e kuptoj çfarë pune më të rëndësishme ka sot”, tha ai.
Në fillim të seancës, kërkesën e opozitës dhe komentet e tyre për propozimin evropian i kundërshtoi Mimoza Kusari-Lila, shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Dua t’ia kujtoj Lumir Abdixhikut se nga e njëjta foltore e ka akuzuar kryeministrin për izolim të Kosovës, për mosbashkërendim me aleatët ndërkombëtarë…”, tha Kusari-Lila.
Më vonë, Kusari- Lila bëri të ditur në Kuvend se Kurti është treguar i gatshëm për të raportuar në Kuvend më vonë.
Deputetët më pas votuan mocionin që debati parlamentar në lidhje dialogun Kosovë-Serbi dhe raportimi i Kurtit të nisë nga ora 13.
Propozimi evropian është thënë se synon që të çojë palët drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në propozimin evropian nuk përmendet decidivisht njohja e ndërsjellë. Megjithatë, në nenin dy të propozimit thuhet se palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës.
BE-ja ka thënë se palët kanë shprehur gatishmërinë që ta zbatojnë planin. Kjo do të bëhet përmes diplomacisë fluturuese, përkatësisht përmes udhëtimeve që pritet të realizojë në Prishtinë dhe Beograd i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
/rel